​Policia demanton serbin, i cili gënjeu se u lëndua nga një veturë në Graçanicë - publikon pamjet

Aktuale

​Policia demanton serbin, i cili gënjeu se u lëndua nga një veturë në Graçanicë - publikon pamjet

Më: 22 qershor 2023 Në ora: 20:19
Pamje nga vendi i ngjarjes

Policia e Kosovës njoftoi se dje, rreth orës 14:00, në Graçanicë, është zhvilluar një protestë paparalajmëruar, me ç' rast disa nga pjesëmarrësit kanë shfaqur sjellje dhe veprime agresive e të dhunshme ndaj pjesëmarrësve në trafik, si dhe shpërfillje të urdhrave policor.

Siç njofton policia, përkundër faktit që këtyre personave u është bërë e qartë nga policia se sjelljet dhe veprimet e tilla janë të palejuara, të njëjtit duke shpërfillur urdhrat e zyrtarëve policor, me veprimet dhe sjelljet e tyre përkohësisht kanë bllokuar disa vetura që atë moment kanë qenë duke qarkulluar në atë segment rrugor.

“Ndërkohë që policia ka kërkuar nga pjesëmarrësit që veturat e bllokuara të lirohen për të lëvizur, një person, pjesëmarrës në protestë, ka pretenduar se është lënduar nga një veturë në lëvizje dhe i njëjti ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia menjëherë ka filluar një hetim lidhur me rrethanat e deklaruara nga ankuesi si dhe informacionet e publikuara në platformat e ndryshme informative kryesisht të mbështetura nga opinionet e ndryshme dhe assesi nga faktet.

“Hetimi i deritanishëm i kryer nga ana e policisë, ndërlidhur me rrethanat e ngjarjes ka nxjerrë në pah faktin se ankuesi nuk është prekur nga vetura në lëvizje por i njëjti me veprimin e tij të dhunshëm, me qëllim për ta goditur veturën në fjalë ka vetëlënduar këmbën e tij”, thuhet në komunikatë.

Sipas policisë, përkitazi me rastin, me qëllim të informimit sa më të drejtë të opinionit publik, në funksion të së vërtetës dhe për të përjashtuar të gjitha informatat e rreme, në dispozicion të publikut paraqiten edhe pamjet filmike që kanë rezultuar nga trajtimi hetimor i ngjarjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat