Deklarohet Albin Kurti pas takimit me Borrellin në Bruksel

Aktuale

Deklarohet Albin Kurti pas takimit me Borrellin në Bruksel

Më: 22 qershor 2023 Në ora: 21:37 Përditësuar në ora: 22:18 më 22.06.2023
Albin Kurti

​Kurti: Zgjedhje të parakohshme, por në përputhje me kornizën ligjore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të enjten në Bruksel para mediave foli për zhvillimet nga takimet bilaterale me shefin e Politikës së Jashtme e të Sigurisë së BE-së, Josep Borrell, si dhe me ndërmjetësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ku tregoi se takimi nuk ishte trelateral, pasi që sipas tij, pala tjetër në këtë rast Serbia ka refuzuar një gjë të tillë.

Kryeministri Kurti ka thënë se në fillim të takimit u ka prezantuar një dokument përfaqësuesit të BE-së, Borrell dhe Lajçakut lidhur me rrëmbimin e tre zyrtarëve policorë kufitarë të Kosovës në veri më 14 qershor.

Ai tha se ka kërkuar që policët të lirohen sa më parë dhe të dënohet agresioni i Serbisë ndaj Kosovës.

Kurti tha po ashtu se sa i përket zgjidhjes më të qëndrueshme në veri, është e natyrshme se ka nevojë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri me një proces në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.

Deklarohet kryeministri Kurti pas takimit me Borrellin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me përfaqësuesin e BE-së, Josep Borrell, ka thënë se nuk mund të bëjnë zvogëlim të Policisë së Kosovës në veri, përderisa nuk ka një përballje me drejtësinë për ekstremistët.

“Policia nuk është në afërsi të godinave, është brenda një ndërtese dhe prania e tyre nuk është e dëshirueshme për neve, por është e obligueshme për ta duke pasur parasysh ekstremistë të dhunshëm të cilët kanë qëlluar mbi ushtarët e KFOR-it, mbi Policët e Kosovës e gazetarët, ka pasur shokë-bomba, granata dore, ka pasur plumba, revole, automatik, andaj ne nuk mund ta bëjmë zvogëlimin gradual dhe proporcional qysh e kemi paralajmëruar të policisë përderisa nuk ka një përballje me drejtësinë të këtyre elementeve ekstremistë të largimit të tyre”.

Gjithashtu, Kurti është shprehur i gatshëm që në katër komunat veriore të mbahen zgjedhje të parakohshme.

“Ndërkaq, po, për zgjedhje të parakohshme padyshim, jemi të hapur, vetëm që zgjedhjet e parakohshme duhet të kenë zgjedhje ligjore. Nuk mund të bëjmë zgjedhje të parakohshme jashtë ligjit. Siç e parasheh ligji në Kosovë, ta zëmë me nënshkrimin e qytetarëve, të cilët mbledhin përmes një peticioni vullnetin e tyre që të ia përfundojnë mandatin një kryetari të komunës, kjo është një zgjidhje brenda ligjit, dhe kjo është e mundshme në Kosovë”, tha ai para gazetarëve.

Ndërkohë, Kurti tha se në këtë takim ka pasur pajtim që të bëhet lirim i menjëhershëm për tre policët kosovarë.

“U pajtuam se edhe lirimi i menjëhershëm i pakusht i tre policëve dhe në anën tjetër deeskalimi me normalizim të raporteve nuk ka alternativ, kjo e fundit ka nevojë për një sekuencim të plotë, të hollësishëm dhe të balancuar të marrëveshjes bazike dhe të atij dakordimi të asaj marrëveshjes shtesë, aneks zbatimit që u bë në Ohër. Pra mua në herën e parë këtu më 27 shkurt në Bruksel më tha që po e pranojmë, mirëpo nuk po e nënshkruan pala tjetër se do ta bëjë në Ohër. Kur erdhën në Ohër u dakorduam për aneksin e zbatimit as njëra as tjetra, sërish nuk u nënshkrua. Përshtypja ime në këtë situatë përveç tjerash jemi si rezultat i mos nënshkrimit të kësaj marrëveshje bazike dhe mos insistimit në zbatim të menjëhershëm të pakusht dhe të plotë të asaj marrëveshje”, tha kryeministri Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat