Borell: Kosova dhe Serbia duhet t'i përmbahen detyrimeve

Aktuale

Borell: Kosova dhe Serbia duhet t'i përmbahen detyrimeve

Më: 22 qershor 2023 Në ora: 21:39
Josep Borrell

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell ka thënë se në takimet që i ka pasur sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin, janë pajtuar se duhet të ketë zgjedhje të hershme në katër komunat veriore të Kosovës.

Ai tha se kanë "identifikuar rrugë të mundshme përpara por të dy palët duhet t'i përmbahen detyrimeve të tyre".

"Takimi i sotëm nuk u fokusua shumë në çka por në atë se si dhe kur - si të qetësohet situata në terren, si të organizohen zgjedhje të reja dhe si të kthehen në dialog dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e dialogut, në veçanti marrëveshjen e fundit në rrugën e normalizimit", tha Borell të enjten.

Borrell ka shtuar se në takimin me Kurtin, ka ritheksuar kërkesën që kryetarët shqiptarë të zgjedhur në komunat serbe, të punojnë nga ndërtesa alternative.

Në lidhje me arrestimet e disa serbëve në Kosovë pas protestave të fundit në veri, Borell po ashtu tha se "nuk mund të ketë mosndëshkim për autorët e dhunës".

Megjithatë, ai theksoi se "arrestimi ose keqtrajtimi arbitrar i padrejtë i të burgosurve është krejtësisht i papranueshëm".

Gjithashtu, Borrell deklaroi t'i ketë thënë Vuçiqit se tre policët e Kosovës që po mbahen në paraburgim në Serbi "duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte".

"Mendoj se kemi identifikuar rrugë të mundshme përpara por të dy palët duhet t'i përmbahen detyrimeve të tyre", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat