BE ultimatum Kurtit dhe Vuçiç pas takimeve në Bruksel

Aktuale

BE ultimatum Kurtit dhe Vuçiç pas takimeve në Bruksel

Më: 23 qershor 2023 Në ora: 14:29
Josep Borrell, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Joseph Borrel ka kërkuar zgjedhje të reja në katër komunat në veri të Kosovës.

Pas takimeve të zhvilluara në Bruksel me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, Borrell në një deklaratë për mediat ditën e sotme tregoi për diskutimet në tryezë.

“Jam takuar me Kurtin së pari. Katër kryetarët përkohësisht të tërhiqen. Serbia të sigurojë që protestuesit të tërhiqen nga objektet komunale, njëkohësisht të tërhiqen forcat policore. Të shpallen sa më shpejt zgjedhjet, me pjesëmarrje të plotë. Me pjesëmarrje edhe të Serbëve. Pastaj të vazhdojmë përmes dialogut të negocionuar nga Bashkimi Europian”, tha Borrell.

Përfaqësuesi i BE tha më tej se për aktet e dhunës duhet të ketë ndëshkime, por kjo çështje i takon gjyqësorit. Duke folur për tre policët e Kosovës, të kapur nga Serbia, Borrelltha se i ka kërkuar presidentit serb lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte si dhe hetim për ngjarjen.

“Kemi qenë shumë të qartë që nuk mund të ketë pandëshkueshmëri për aktet e dhunës, po kjo çështje i duhet lënë gjyqësorit. Takimi i sotëm është fokusuar kur dhe si, pasi të çtensionohet situata në terren. Kam nxjerrë në tryezë propozime konkrete të bazë të kushteve të përmendura nga BE. Duhet të dimë si të vazhdojmë, cilat janë alternativat.

Arrestet arbitrare janë të papranueshme. EULEX do të ketë një rol më solid në monitorimin e situatës. I kam kërkuar Vuçiçit që tre policët e mbajtur në Serbi të lirohen menjëherë dhe pa kushte. Kam kërkuar hetimin e menjëhershëm të kësaj situate”, u shpreh ai.

Sakaq, Borrell i ka dhënë ultimatum Kosovës dhe Serbisë që të dyja palët duhet të zbatojnë zotimet e tyre.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti para gazetarëve dje foli për takimet bilaterale me shefin e Politikës së Jashtme e të Sigurisë së BE-së, Josep Borrell, si dhe me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ku sqaroi se takimi nuk ishte trelateral, për shkak se pala tjetër e ka refuzuar një gjë të tillë.

Kryeministri Kurti tha se u konfirmua që ka marrëveshje, por nuk pati takim, teksa kritikoi sjelljen joserioze të presidentit Vuçiç.

Unë kam ardhur për t’u takuar për t’u marrë vesh që të kemi dakordësime e të ecim përpara”, tha kryeministri Kurti.

“Në fillim të takimit unë kam prezantuar një dokumentacion Borrell-it e Lajcak-ut lidhur me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës në Leposaviç, më 14 qershor, kur janë bërë më shumë se një javë e që po mbahen peng nga Serbia në burgun e Kralevës”, duke kërkuar që ta dënojnë agresionin e Serbisë ndaj Kosovës publikisht.

Më tej Kurti bëri me dije se është diskutuar edhe për uljen e tensioneve, ku nënkuptohet largimin e grupeve kriminale që menjëherë do të përcillej me zvogëlimin e trupave të policisë në ndërtesën komunave.

“Ndërkaq sa i përket zgjidhjes më të qëndrueshme, natyrisht se ka nevojë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri me një proces qe i paraprihet nga sundimi i ligjit, nga një fushatë e hapur e fer dhe nga zgjedhjet e lira e demokratike”, u shpreh Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat