Rama thumbon Kurtin: Ai i lexon sondazhet, kënaqet që i rriten poenat

Aktuale

Rama thumbon Kurtin: Ai i lexon sondazhet, kënaqet që i rriten poenat

Më: 23 qershor 2023 Në ora: 15:06
Albin Kurti dhe Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me situatën e krijuar në veri të vendit.

Rama tha se Kurti e ka refuzuar ballafaqimin për këtë temë, derisa tha se ai i lexon sondazhet dhe “kënaqet që po i rriten poenat”.

“Albini nuk e ka dashur konfrontimin apo ballafaqimin për këtë temë, sepse Albini lexon sondazhet dhe kënaqet që i rriten poenat. Shqipëria nuk është noter dhe nuk mund të jetë kurrë noter e çdo politike që ndjek Kosova. Aq më tepër nëse Shqipëria trajtohet si vëlla i madh, që s’e kam thënë kurrë, sepse jemi dy shtete të ndryshme”, ka thënë ai.

Rama ritheksoi se mbledhja e përbashkët e dy qeverive nuk mund të mbahej, për shkak se sipas tij situata nuk është fare normale.

“Detyrimi është ta themi të vërtetën, Shqipëria është shtet në vete, interesat janë shumë të qarta, duke mirëkuptuar arsyet pse ndonjëherë ndodh ndryshe. S’mund të jemi dakord në çdo gjë. Pastaj, propaganda që mbledhja ishte për qytetarët. Marrëveshjet që ishin gati për t’u firmosur, mund të firmoseshin pa pasur nevojë për shfaqje kinse gjërat janë normal, gjërat nuk janë normale, janë keq. Po përpiqem të bëj gjithçka ta shmang më të keqen, me aq sa kemi ndikim”, tha Rama.

Rama tha se ai nuk është fare i kënaqur që ndaj Kosovës dhe kryeministrit Kurti, bashkësia ndërkombëtare “i ka mbyllur dyert”.

“Po të vijë dita të diskutohet lojaliteti i aleatëve strategjikë ndaj Kosovës, është keq. Mendoni që mua më jep kënaqësi fakti, që unë s’jam dakord me Albinin në këtë temë, Albinit nuk i hapet asnjë derë, i kthehen mbrapsht vizitat në zyrat e homologëve në Evropë apo Amerikë, më duket e tmerrshme”, ka thënë ai.

Ai tha se me Kurtin është i gatshëm të takohet dhe se në rrafshin personal nuk ka asnjë mospajtim me të, dallimet sipas tij janë konceptuale.

“Është katastrofë të këputen lidhjet aq të forta me bashkësinë euroatlantike. Jam i gatshëm të takohem me Albinin në çdo moment, në nivelin personal s’kam asnjë problem. Po të jeni prezentë, do të habiteni sa mirë shkojmë, në nivelin konceptual kemi probleme të mëdha”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat