Tensionet Serbi-Kosovë, Rama kërkon shtysë të re nga Macron dhe Scholz

Aktuale

Tensionet Serbi-Kosovë, Rama kërkon shtysë të re nga Macron dhe Scholz

Më: 23 qershor 2023 Në ora: 18:36
Edi Rama

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama deklaroi sot se i ka kërkuar kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron një ndërhyrje konkrete për zbatimin e planit të paraqitur prej tyre për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të shmanget rreziku që rajoni të bëjë një kthim dramatik pas në të shkuarën. “Nuk pres dhe nuk kemi çfarë presim të reja, pa një shtysë të re dhe pa një përfshirje të drejtpërdrejtë të kancelarit dhe të presidentit të cilët duhet të shpëtojnë jo thjesht Kosovën dhe Serbinë nga përplasja, por duhet të shpëtojnë rajonin nga shkatërrimi i të gjitha proceseve të nisura dhe nga asgjësimi i vetë Procesit të Berlinit”, deklaroi zoti Rama.

Ai theksoi se plani franko-gjerman duhet “të zbatohet medoemos në kushtet kur degradimi i situatës në veri si rezultat i përplasjes së vazhdueshme të politikave të brendshme të dy udhëheqësve, të Kosovës dhe Serbisë, po e rrit me orë klimën e tensionit, duke rrezikuar seriozisht një përplasje fatale të armatosur mes grupeve, që operojnë në veriun e Kosovës dhe forcave të sigurisë, çka do të ishte një katastrofë në mes së cilës do të përfshihej pastaj paevitueshmërisht KFOR-i, përplasje, e cila edhe sikur tre orë të zgjaste, jo më tre ditë apo tre jave, do të rezultonte fatale edhe për gjithçka është bërë në këto vite, përpjekje, nisma e ndërveprime në Ballkanin Perëndimor”.

Sipas zotit Rama “është shumë e rëndësishme që të dy liderët bashkë me këdo qoftë tjetër rreth tyre të merren dhe të mbyllen brenda në një konferencë nën kujdesin dhe trysninë e kumbarëve të planit që është dakordësuar në bazë, në një konferencë normalizimi pa të drejtë dalje deri kur të përfundojë bashkëbisedimi dhe të trajtohen ato pika, që është shumë interesante, askush nuk i kundërshton, por në të njëjtën kohë secili ia hedh tjetrit fajin pse nuk zbatohen. Se nuk ka vullnet, ky është fakti”.

Zoti Rama tha se në këtë moment, dialogu ne Bruksel është kthyer vetëm në një status quo, aq më tepër që “përsa kohë tre policët e Kosovës vazhdojnë të mbahen në burg në Serbi, nuk ka asnjë mundësi që të ketë përparim në dialog apo dhe deeskalim konkret pa kthimin e tyre në shtëpi”.

Kryeministri shqiptar përsëriti sërish se kjo situatë ndikon drejtpërdrejtë në marrëdhëniet bilaterale me Serbinë. “Çdo komunikim në çdo nivel me Serbinë do jetë “Lironi 3 policët” deri kur ata të lirohen. Shpresoj të lirohen dje, por nëse nuk do lirohen një vit, larg qoftë, dy, tre, pesë, vetëm kjo do jetë marrëdhënia; Lironi ata të tre, kaq. Nuk kemi asnjë fjalë tjetër”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat