SHBA sërish me kërkesa ndaj Kosovës dhe Serbisë

Aktuale

SHBA sërish me kërkesa ndaj Kosovës dhe Serbisë

Më: 24 qershor 2023 Në ora: 09:09
DASH

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) sërish ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ndërmarrin hapa urgjentë në depërshkallëzimin e situatës dhe t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

DASH ka theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë shumë të qartë për pritshmëritë e tyre nga të dyja palët [Kosova dhe Serbia].

“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ndërmarrin hapa urgjent, konkretë për të de-përshkallëzuar tensionet. Kjo përfshin lirimin pa kushte të tre policëve të Kosovës të ndaluar në Serbi”, thuhet në një përgjigje të DASH-it për Zërin e Amerikës (në gjuhën serbe).

Më tej, Departamenti amerikan i Shtetit thotë se “të dyja palët duhet të ndjekin planin e propozuar nga Bashkimi Evropian dhe të kthehen pa vonesë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”.

Ndërsa, Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, sot u shpreh “i alarmuar” me situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se po bëhen arrestime të jashtëligjshme të serbëve në Kosovë, ndërsa ka përmendur edhe marshimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicë.

“Shumë i alarmuar nga situata në veri të Kosovës: arrestime të jashtëligjshme të serbëve të Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës që marshojnë në Mitrovicën e Jugut; e ndjekur prej retorikës së rëndë nga Serbia”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Borrell ka theksuar se nuk do ta tolerojnë këtë.

“Pavarësisht takimeve të djeshme të krizës, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë.”

Deklarata e tij pasoi njoftimin e policisë së Kosovës për arrestimin e një qytetari serb në veri të Mitrovicës, nën dyshimet për përfshirje në sulmet ndaj forcave të KFOR-it me 29 maj, me ç’rast të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse mbetën të plagosur.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se është arrestuar Nenad Orlloviq, i cili dyshohet se ishte në grupin që sulmoi KFOR-in më 29 maj.

Atë ditë, të lënduar kishin mbetur rreth 30 ushtarë të KFOR-it gjatë tentimeve për t’i shpërndarë protestuesit e grumbulluar pranë objektit komunal në Zveçan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat