Nga Policia e Kosovës i kundërpërgjigjen Borellit - zbulohen detaje të reja për armatimin e konfiskuar në Zveçan

Aktuale

Nga Policia e Kosovës i kundërpërgjigjen Borellit - zbulohen detaje të reja për armatimin e konfiskuar në Zveçan

Nga: Bota sot Më: 24 qershor 2023 Në ora: 10:30 Përditësuar në ora: 13:38 më 24.06.2023
Drejtori i policisë, Gazmend Hoxha

Ekspozohet armatimi i konfiskuar në Zveçan

Sot, në kampin “Belvedere” në Mitrovicë u ekspozua armatimi, i cili është konfiskuar mbrëmë në një veturë me targa të Beogradit në Zveçan.

Në veturë ka pasur sasi të madhe të armëve, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme, përfshirë:

Zolla, osa, eksplozivë, armë automatike, sasi të konsiderueshme të municionit, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake.

Image

Për armatimin e konfiskuar, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, sot, gjatë një konference të jashtëzakonshme për media, ka bërë të ditur se pajisjet kanë pasur për synim aksione terroriste.

Hoxha, Borrellit: Policia e Kosovës s’bën arrestime arbitrare dhe të jashtëligjshme

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i është përgjigjur një qëndrimi të Komisionarit për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell që tha që nuk do të tolerojnë arrestime jashtëligjore.

“Përgjigja jonë është se Policia e Kosovës është insitucioni i vetëm i mandatuar për zbatimin e ligjit në Republikën e Kosovës. Veprimet tona janë të bazuara në ligj”, është shprehur Hoxha.

“Të gjitha veprimet tona policore, përfshirë arrestimet bëhen përmes procesit të hetimeve. Asnjë arrestim nga Policia e Kosovës nuk është arbitrar, as i jashtligjshëm, por i bazuar në ligj”.

Hoxha ka theksuar se të gjithë shkelësit e ligjit do të indetifikohen dhe do të dërgohen para drejtësisë.

Sveçla: Tre policët janë takuar dje me familjarë, njërit i kanë shkuar barnat

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka konfirmuar se tre policët e Kosovës që po mbahen në paraburgim në Serbi, janë vizituar dje nga familjarët e tyre.

Sveçla tha se atyre tashmë u kanë shkuar edhe barnat për të cilat kanë nevojë.

“Familjarët i kanë vizituar ata. ne jemi në përkrahje të çfarëdo nevoje që këta policisë kanë dhe patjetër edhe të familjeve të tyre. Barnat tashmë është raportuar se kanë shkuar dhe ne përveç se kërkojmë presim poashtu që këta zyrtarë policor të lirohen sa më parë. Kidnapimi i tyre është edhe një dëshmi se Serbia nuk ka ndryshuar fare nga ajo e viteve të 90’ ku edhe i shkaktoi katër luftëra”, ka thënë Sveçla.

Ndërkohë që gati dy javë tre policë kufitar të Kosovës janë duke u mbajtur në paraburgim në Kralevë të Serbisë.

Ata u kidnapuan brenda territorit të Kosovës. 

Sveçla: Një jelek antiplumb që kapëm në veri kishte shenjën e njësisë speciale të Rusisë

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka treguar se një prej jelekëve antiplumb të gjetur në veturën me armatim në Zveçan ka pasur shenjën e njësive speciale ruse.

Sveçla ka thënë se kjo do të thotë që në Kosovë mund të jetë një pjesëtar i kësaj njësie të Rusisë, ose është ndonjë serb që ka qenë pjesë e luftërave në Rusi dhe është kthyer këtu për ta luftuar Kosovën.

“Njëri nga jelekët antiplumb ka shenjën e njësive speciale ruse.

Që do të thotë ose kemi një pjesëtar të kësaj njësie në Kosovë, ose kemi ndonjë serb që ka qenë pjesë e luftarëve atje dhe është kthyer këtu për të vazhduar luftën kundër Republikës së Kosovës”, ka thënë ministri Sveçla.

Sasi e madhe e armatimit, Sveçla jep detaje: Vetura e konfiskuar pronë e një ndërmarrje shtetërore të Serbisë

Policia e Kosovës në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ka treguar për gjithë armatimin që kanë konfiskuar ditën e premte në komunën e Zveçanit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, në këtë konferencë të jashtëzakonshme së bashku me drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha tha se të premten është shmangur një sulm terrorist, gjersa theksoi se do të kërkojë nga Qeveria që të shpall organizatë terroriste “Mbrojtjen Civile”, transmeton Telegrafi.

“Shmangëm një sulm terrorist, u identifiku një makinë më targa të Serbisë, u zbulua sasi e madhe e armatimit, mjete eksplozive, armë automatike, shok-bomba, uniforma. Ka shenja me simbole të formacionit ilegal kriminal e terrorist ‘Brigada e Veriut’, shenja dalluese të njësiteve ruse, radio lidhje të njëjta me ato të konfiskuara në zyrën ilegale të Aleksandar Filipoviqit në komunën e Leposaviqit. Qytetarët e dinë se Filipoviq ka qenë ish shef i Operativës në drejtorin rajonale të veriut i cili është dekoruar nga presidenti i Serbisë, Vuçiq”, tha ai.

Ministri Sveçla tha më tej se me këto mjete kishin për qëllim realizimin e sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

“E gjithë kjo dëshmi e radhës që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq përmes grupeve dhe organizimeve të tilla dëshiron të destabilizojë vendin tonë”, tha ai.

Ministri shtoi tutje se “ky rast konfirmon se nga territori i Serbisë janë futur edhe vetura tjera me armatim”.

“Vetura e konfiskuar është me targa të Beogradit, është pronë e një ndërmarrje shtetërore të Serbisë. Kjo është e qartë se kush qëndron prapa sulmeve”.

Ministri ka thënë se bandat kriminale janë në rritje, ndërsa ka ftuar Serbinë të ndalë këto sulme ndaj Kosovës si dhe ka ftuar ndërkombëtarët të reagojnë pas këtij rasti.

Drejtori i policisë jep detaje për armatimin e gjetur mbrëmë në veturën me targa serbe në Zveçan

Drejtori i policisë, Gazmend Hoxha, ka dhënë detaje rreth kapjes së armatimit në një veturë me targa serbe mbrëmë në Zveçan.

Hoxha, në konferencën e sotme për media, tha se mbrëmë rreth orës 20 kanë hasur në veturën e dyshuar në lagjen Kolonia në Zveçan dhe se mjetet shpërthyese që ndodheshin brenda këtij automjeti përbënin rrezik permanent për qytetarët.

“Më 23 qershor në 20 e 03 minuta ka kryer kontroll në një veturë Audi A6 me targa të Bedetaogradit, ku është hasur një sasi e konsiderueshme e mjeteve shpërthyese, armëve luftarake dhe pajisjeve të tjera ushtarake, vetura ka qenë e parkuar ndërmjet ndërtesave të banimit kolektiv në rrugën Obiliqi, lagjja Kolonia, Zveçan, menjëherë janë marrë të gjitha masat e sigurisë së qytetarëve në atë zonë, pasi kjo sasi e madhe e armëve dhe mjeteve shpërthyese paraqet rrezik të jashtëzakonshëm nga mjetet shpërthyese. Policia ka marrë të gjitha veprimet operative për të zbuluar rrethanat dhe ka zbuluar që vetura ka qenë e parkuar aty për një kohë duke qenë rrezik permanent dhe me pasoja katastrofike për qytetarët që e kanë frekuentuar atë zonë”, ka thënë Hoxha.

Sipas Hoxhës, përpos njësive të Policisë së Kosovës, krim-teknikës, njësisë së trajtimit të mjeteve eksplozive kanë marrë pjesë edhe pjesëtarë të KFOR-it si dhe EULEX-i.

Hoxha tregoi se në veturë gjendej një sasi e konsiderueshme e armëve dhe mjeteve shpërthyese, si dhe lëndë narkotike.

“Vetura është sekuestruar dhe gjësendet e gjetura në veturë janë si në vijim: 9 zola, 2 lansues, 2 osa, një predhë e minahedhësit, 21 granata dore, 20 predha të tromblonit, 2 mbushës të barutit, 10 armë të gjata automatike, një revole , 1 shurdhues i armëve, 51 karikatorë të armëve të gjata, 5 karikatorë të armëve të shkurtra 5756 fishekë të kalibri të ndryshëm, 18 molotovi e të tjera, si dhe sasi e narkotikëve”, ka shtuar ai.

Drejtori i policisë: Granatat e kapura mbrëmë janë prodhim serb i vitit 2021, u përdorën edhe në sulmin ndaj KFOR-it

Drejtori i policisë, Gazmend Hoxha, ka folur në lidhje me sekuestrimin e mbrëmshëm të një veture me targa serbe në Zveçan, në të cilën u gjet armatim, që dyshohet se do të përdorej për sulm terrorist.

Hoxha ka njoftuar se mbrëmë u gjet një sasi e konsiderueshme e armatimit, duke shtuar se disa nga granatat e kapura ishin prodhim i Serbisë i vitit 2021 dhe dyshohet se të llojit të njëjtë u përdorën edhe në sulmin ndaj KFOR-it më 29 maj.

“Pjesa dërmuese e armatimeve janë prodhim i Serbisë, vlen të theksohet se 15 prej tyre nga viti 2021, ekziston dyshimi se lloji i njëjtë i granatave janë përdorur në sulmin ndaj KFOR-it më 29 maj, në Zveçan”, ka thënë Hoxha në një konferencë për media.

Hoxha foli edhe për rrëmbimin e tre policëve kosovarë, ku u bëri thirrje autoriteteve të Serbisë t’i lirojë sa më parë ata.

Ai shtoi se me këtë veprim Serbia bëri agresion direkt brenda territorit të Kosovës.

“I bëjmë thirrje autoriteteve të Serbisë që t’i lirojë sa më parë policët që po mbahen padrejtësisht në Serbi, që janë kidnapuar në mënyrë klasike brenda territorit të Kosovë, andaj duhet t’i lirojë pasi me këtë veprim Serbia ka bërë agresion direkt brenda territorit të Republikës së Kosovës. Kjo është totalisht e padrejtë, e jashtëligjshme dhe e papranueshme”, ka thënë Hoxha.

Policia paralajmëron konferencë të jashtëzakonshme për rastin e mbrëmshëm në Zveçan

Policia e Kosovës ka paralajmëruar konferencë të jashtëzakonshme lidhur me rastin e mbrëmshëm në Zveçan, ku policia ka identifikuar dhe njëherit konfiskuar një veturë me targa serbe, në të cilën kishte pasur një sasi armatimi e mjete të ndryshme ushtarake.

Policia ka ftuar mediat të jenë pjesë e kësaj konference të jashtëzakonshme, në të cilën pritet të marrë pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Sipas njoftimit të tyre, konferenca e jashtëzakonshme pritet të mbahet në orën 12:00, në kampin “Belverde” në Mitrovicë të Jugut.

Njoftimi:

Ftesë për media

Prishtinë, 24 qershor 2023,

Ju ftojmë të merrni pjesë në konferencën e jashtëzakonshme lidhur me rastin e mbrëmshëm në Zveçan, ku policia ka identifikuar dhe njëherit konfiskuar një veturë me targa serbe, në të cilën kishte pasur një sasi armatimi e mjete të ndryshme ushtarake. Në konferencë pritet të marrë pjesë ministri i MPB-së z. Xhelal Sveçla dhe drejtori i PK-së z. Gazmend Hoxha.

Konferenca është paraparë të mbahet sot:

Datë : 24 qershor 2023

Koha/ora: 12:00

Vendi: Kampi ‘Belvedere’ Mitrovicë Jugu

Ftohen mediat të marrin pjesë dhe ta përcjellin këtë konferencë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat