Dështon mbledhja e kryesisë së kuvendit, Tahiri: Kjo situatë po e dëmton Kosovën

Aktuale

Dështon mbledhja e kryesisë së kuvendit, Tahiri: Kjo situatë po e dëmton Kosovën

Më: 26 qershor 2023 Në ora: 13:16
Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK),  Besnik Tahiri ka bërë të ditur se ka dështuar që të mbahet mbledhja e Kryesisë për shkak të mungesë së kuorumit.

Ai ka thënë se është brengosëse situata në kuvendin dhe qeverinë e Kosovës duke theksuar ka ngecje të punës në aspektin legjislativ dhe në qeverisje që sipas tij, kjo situatë po e dobëson dhe dëmton Kosovën në çdo aspekt.

“Nuk mbajtëm mbledhje e Kryesisë se nuk patëm kuorum, u diskutua për një seancë, por nuk dihet se kur do të mbahet për shkak të mungesës së kuorumit. Është tepër brengosëse situata e cila gjendet në qeveri dhe kuvend. Ka ngecje të punës në aspektin legjislativ dhe në qeverisje. Ka dështim total në ekonomi dhe administratë shtetërore, kjo situatë është ka e cungon dhe dëmton, dobëson Kosovën në cdo aspekt”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, partia në pushtet nuk ka seriozitet dhe përgjegjshmëri.

“Vetëvendosje nuk ka përgjegjshmëri dhe seriozitet, fatkeqësisht dobësimi i Kosovës në aspektin e brendshëm, ekonomi, administratë shtetërore e përcjell shumicën parlamentare në të gjitha nivelet”, ka vijuar ai.

Ai e ka quajtur lajm të mirë lirimin e policëve të Kosovës nga Serbia, teksa ka falënderuar ShBA-në dhe vendet e BE-së për angazhimin në lirimin e tyre.

“Shpreh kënaqësinë që policët tani janë kthyer në shtëpi, kidnapimi i tyre ka qenë një akt kriminal, falë angazhimit të miqve ndërkombëtarë, ShBA dhe vendeve të BE-së ky lirim ka ndodhë”.

Ndërsa i pyetur për menaxhimin e situatës në veri nga Qeveria e Kosovës, ai ka thënë se ky menaxhim është totalisht i “gabuar”.

Menaxhimi i situatës në veri të vendit është totalisht i gabuar, sovraniteti është reduktuar në një oborr të komunës dhe një zyre të kryetarit i cili të vetmin aktivitet e ka të shiqojë prej dritares. Nuk vjen nga qefi i tij, kjo vjen prej kryeneçësisë së Kurtit dhe qeverisë së tij që e ka për menaxhimin e asaj pjese, pjesë, duhet të theksojmë se policët sot e pesë muaj nuk i kanë marrë shtesat e rrezikshmërisë. Kjo qasje eksperimentale po e dëmton Kosovën”, ka thënë Tahiri.

Ndryshe, tensionet kulmuan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me ushtarë të KFOR-it. Dhjetëra të plagosur u raportuan në të dyja anët.

Bashkësia ndërkombëtare është duke kërkuar vazhdimisht nga Kosova që ta shtensionojë situatën, përkatësisht t’i tërheqë njësitë speciale të policisë nga veriu, të organizojë zgjedhje të reja lokale dhe të kthehet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat