​Osmani: Aleanca me ShBA-në vazhdon të mbetet ekzistenciale

Aktuale

​Osmani: Aleanca me ShBA-në vazhdon të mbetet ekzistenciale

Më: 26 qershor 2023 Në ora: 13:24
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kim Reynolds

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kontributin në lirimin e tre policëve të rrëmbyer nga forcat serbe. Ajo ka nënvizuar se aleanca me ShBA-në vazhdon të mbetet ekzistenciale për Kosovën.

Osmani, pasi priti në takim guvernatoren e shtetit të Iowa-s, Kim Reynolds, tha se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së janë të rrënjosura në vlera të përbashkëta për demokraci, sundim të ligjit dhe paqe e siguri.

Osmani: Falënderoj ShBA-në për kontributin në lirimin e tre policëve

“Shpreh falënderimet e përzemërta për kontributin që kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për lirimin e tre policëve të Republikës së Kosovës, të cilët po mbaheshin të kidnapuar pas aktit të agresionit që Serbia kishte kryer ndaj Republikës së Kosovës. Ata tash janë të lirë duke u kthyer në Republikën e Kosovës dhe tek familjet e tyre”, tha ajo.

Presidentja Osmani dhe guvernatorja Reynolds nënshkruan edhe marrëveshjen e marrëdhënieve së shteteve simotra mes Kosovës dhe Iowa-s, e cila do të fuqizojë bashkëpunimin edhe më tej në fushën e sigurisë, arsimit, kulturës dhe bujqësisë.

Osmani: Aleanca me ShBA-në vazhdon të mbetet ekzistenciale

“Sot me nënshkrimin e marrëveshjes së Kosovës dhe shtetit të Iowa-s dëshmuam edhe një herë përkushtimin tonë për të hapur kapituj të ri të bashkëpunimit dypalësh. Kjo marrëveshje do të luajë rol jetik në zhvillimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të ndërsjellë, përfshirë arsimin, kulturën, turizmin, bujqësinë, tregtinë dhe fushën e energjisë. Po ashtu do të krijojë instrumente për koordinim të shtuar mes dy vendeve tona edhe fushën e mbrojtjes. Një bashkëpunim ky që ka qenë esencial mes FSK-së dhe Iowa-s. Por mbi të gjitha marrëveshja e nënshkruar sot do t’i hap rrugë përafrimit dhe përfitimeve të drejtpërdrejta të qytetarëve tanë. Për Republikën e Kosovës aleanca me ShBA-në vazhdon të mbetet ekzistenciale. Qytetarët tanë janë populli më pro amerikan në botë, prandaj siç i shpreha guvernatores në Kosovë ju gjithnjë do të qeni miqtë dhe partner të përkushtuar. Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së janë të rrënjosura në vlera të përbashkëta dhe angazhimin tonë për demokraci, sundim të ligjit, paqe dhe siguri në vend dhe rajon”, tha Osmani në konferencën e përbashkët për medie me guvernatoren Reynolds.

Ndërkaq, guvernatorja e Iowa-s, Kim Reynolds, shprehu përkushtimin për të zgjeruar bashkëpunimin me Kosovën.

Reynolds: Jemi të përkushtuar për të zgjeruar partneritetin tonë

“Marrëdhënia jonë speciale është e ndërtuar në një themel të fortë të partneritetit në fushën e sigurisë të Gardës Kombëtare të Iowa-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila vazhdon të lulëzoj edhe tani...Kjo është një dëshmi aq e fuqishme e ndikimit që partneriteti ynë mund të ketë. Mund të dini se sa jemi të përkushtuar për të zgjeruar partneritetin dhe bashkëpunimin tonë edhe më tej, në fushën e sigurisë, edukimit dhe në lidhjet e reja komerciale”, tha ajo.

Paraprakisht, Osmani dhe Reynolds shprehën solidaritetin dhe mbështetjen për vërshimet në Pejë, ku humbën jetën një grua së bashku me djalin e tij.

Gjatë ditës, guvernatorja Reynolds u prit në takim edhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat