Varhelyi mirëpret lirimin e policëve, kërkon zgjedhje të menjëhershme në veri

Aktuale

Varhelyi mirëpret lirimin e policëve, kërkon zgjedhje të menjëhershme në veri

Më: 26 qershor 2023 Në ora: 16:57
Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi

Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, e ka mirëpritur lirimin e tre policëve të Kosovës të cilët ishin kidnapuar në detyrë në Bare të Leposaviqit.

“Shtensionimi duhet të vijojë, zgjedhjet e reja komunale duhet të organizohen pa vonesa”, ka vazhduar ai në një qëndrim në Twitter.

Ai ka kërkuar gjithashtu respektim të marrëveshje të nënshkruar në dialog.

“Duhet të zbatohet edhe marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se Serbia përkundër lirimit sot të 3 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, nuk mund të lirohet nga përgjegjësia për këtë akt flagrant agresioni ndaj shtetit të Kosovës.

“3 policët e Kosovës janë liruar, por kjo nuk e liron Serbinë nga përgjegjësia për këtë akt flagrant agresioni kundër Kosovës dhe shkeljes së Marrëveshjes Teknike Ushtarake me NATO-n”, shkroi Osmani.

Ndërsa, Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se edhe pse janë të gëzuar që po kthehen në familjet e tyre, ky rrëmbim është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe duhet të qortohet.

Ka shtuar se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi.

“Edhe pse jemi të gëzuar që ata kthehen në familjet e tyre, ky rrëmbim konsiston në një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar. Agresioni serb duhet të mbajë përgjegjësi”, ka shkruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat