“Ja e marrim tokën, ja kanë me t’marrë plumbat”- Vëllezërit Islamaj ishin arrestuar para 3 muajsh, kërcënuan familjarin e personit që i vrau

Aktuale

“Ja e marrim tokën, ja kanë me t’marrë plumbat”- Vëllezërit Islamaj ishin arrestuar para 3 muajsh, kërcënuan familjarin e personit që i vrau

Më: 26 qershor 2023 Në ora: 19:55
Vëllezërit Islamaj

Vrasja e dyfishtë në Madanaj të Gjakovës, të dielën mbrëma, shënoi tragjedinë e radhës si pasojë e pronës. Dy vëllezërit, Blerim dhe Haxhi Islamaj, u qëlluan me armë zjarri nga Gjergj Gjokaj dhe për pasojë mbetën të vdekur. Këtij rasti tragjik dyshohet se i ka paraprirë një konflikt pronësor që daton qysh kohë më parë mes dy palëve.

Hiç më larg se para tre muajsh, të ndjerët vëllezërit Islamaj, kishin përfunduar në prangat e Policisë, nën dyshimin për kërcënimin e Gjonit, familjarit të dorasit Gjergj Gjokaj.

Burimet e sinjalit kanë bërë me dije ekskluzivisht se ngjarja kishte ndodhur në fshatin Rrypaj të Gjakovës, më 21 mars të këtij viti, fiks para 3 muaj e ca ditësh.

Dy vëllezërit Islamaj dyshohej se e kishin kanosur seriozisht 45-vjeçarin Gjon Gjokaj, fë cilit ia kanë bllokuar rrugën me ekskavator, duke mos e lënë që të kalojë.

Media pati raportuar për këtë rast që ishte denoncuar në Polici nga Gjoni, i cili i kishte njoftuar organet e rendit se të dyshuarit të cilët janë nga e njëjta familje, e kanë kërcënuar se ose do e marrin ata tokën, ose do e marrin plumbat atë.

Vëllezërit Islamaj e kishin kërcënuar Gjokajn se ajo tokë s’do i duhet askujt, nëse nuk e marrin ata.

Kanosja ndaj Gjon Gjokajt iu kishte kushtuar me arrestim dhe ndalim dy vëllezërve Islamaj, të cilët u vranë mbrëmë në Madanaj.

Ishte vet Gjon Gjokaj ai që e konfirmoi mbrëmë për Sinjalin se ka pasur probleme me dy vëllezërit Islamaj.

Përmes linjës direkte, ai e pohoi se në të kaluarën kishte kontekst pronësor, mirëpo thotë se nuk ka lidhje me vrasjen e tyre.

“Jo, s’kemi lidhje me rastin se unë jam në Zvicër. Une kom pasë kontekst pronësor me ta. Qysh e mora une lajmin, ata rojat…personat e përfshirë aty ma kanë përmend emrin. Unë jom në Zvicër, s’muj me të thonë kurgjo. Nuk kom lidhje me këtë vrasje”, u shpreh Gjokaj për Sinjalin.

Rrethanat në të cilat ndodhi rasti janë akoma të dyshimta, por Sinjali iu sjellë të gjitha detajet të cilat i publikoi mbrëmë ekskluzivisht.

Gjithçka dyshohet se ndodhi pas orës 20:00, kur pas një përleshje fizike dhe të shtënave me armë, Policia gjeti dy vëllezërit e vdekur, në fshatin Madanaj. Vdekja e njërit prej tyre u konstatua në vendin e ngjarjes, ndërkaq tjetri u dërgua në spital, por pa shenja jete.

Haxhiu dhe Blerimi u qëlluan për vdekje pas mosmarrëveshjeve për pronë me të dyshuarin, që datojnë qysh kohë më parë. Por gjatë incidentit të mbrëmshëm, që përfundoi tragjikisht, u plagos edhe vet i dyshuari, Gjergj Gjokaj,

Sipas informacioneve të para, që pritet të konfirmohen gjatë hetimeve, vrasja e dyfishtë e dy vëllezërve dyshohet të jetë kryer në vetëmbrojtje. Krejt kjo, pasi Gjokaj u gjet i rrahur rëndë dhe i plagosur me armë zjarri.

Media raportoi mbrëmë se të dyshuar për rrahjen dhe plagosjen e tij janë tani të ndjerët, vëllezërit Blerim dhe Haxhi Islamaj.

Policia ka kryer të gjitha ekzaminimet në vendin e ngjarjes, ndërkohë që u kap i dyshuari, i cili posa është identifikuar, fillimisht ishte kontaktuar përmes telefonit, ndaj të cilit është bërë kërkesë për dorëzim. Por kërkesa e Policisë, pasoi po ashtu me kërkesë nga vet i dyshuari.

Nga informatat e mbledhura deri më tani, burimet thonë se i dyshuari, Gjergj Gjokaj, në këmbim për t’u dorëzuar, ka kushtëzuar Policinë për ta dërguar te mjeku për trajtim mjekësor, si pasojë e plagëve që kishte pësuar pasi u sulmua nga dy vëllezërit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat