Rama rrëzon “Ballkanin e Hapur”, si u shkatërrua projekti ruso-serb që nxirrte jashtë loje Kosovën?

Aktuale

Rama rrëzon “Ballkanin e Hapur”, si u shkatërrua projekti ruso-serb që nxirrte jashtë loje Kosovën?

Më: 27 qershor 2023 Në ora: 10:16
Aleksandar Vuçiq, Dimitar Kovaçevski dhe Edi Rama

Kryeministri Edi Rama njoftoi ditën e djeshme rrëzimin e projektit ruso-serb, i quajtur ndryshe “Ballkani i Hapur”. Nga Brukseli ku u vetëofrua si “hero” për të zbutur tensionet në Veri të Kosovës, kreu i qeverisë shqiptare komentoi me doza pozitiviteti lirimin e tre policëve shqiptarë kapur nga forcat serbe në kufi. Por në reagimin bie në sy tërheqja e tij nga “Ballkani i Hapur”. Para pak javësh, e ka mbrojtur me “mish dhe me shpirt”, ndërsa dje ai ka përmendur në Tëitterin e tij vetëm Procesin e Berlinit dhe jo nismën që krijoi me Vuçiçin si proces për stabilizimin e rajonit dhe ndërtimin e paqes. “Shqipëria do të bëjë të pamundurën që kjo të mos ndodhë, sepse do të ishte një mjerim total që paqja e brishtë që kemi ndërtuar ndër vite, në kuadër të Procesit të Berlinit dhe nëpërmjet nismave të ndryshme, të shkërmoqet si një kështjellë rëre për shkak të ringjalljes së vala e çmendurisë ballkanike, duke na shtyrë të gjithëve nga rruga e integrimit evropian në fuçinë e vjetër të barutit në zemër të Evropës”, tha ndër të tjera Rama.

Del jashtë loje projekti ruso-serb

Pra “Ballkani i Hapur” i dyshes Rama-Vuçiç u shpërbë plotësisht. Të gjitha planet e dyshimta ruso-serbe në rajon me instalimin e këtij projekti u hodhën në erë për shkak se Gjermania po i jep përparësi procesit të integrimit në Bashkimin Evropian të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet nismës Procesi i Berlinit, duke anashkaluar plotësisht Ballkanin e Hapur si “pjellë Putiniste”. Në shumë takime politike të niveleve të larta, lidershipi gjerman ka konfirmuar qartë se për ta prioritet ka integrimi evropian dhe procesi i Berlin, por në asnjë rast nisa “Ballkan i Hapur”, i cili ka lënë jashtë Kosovën. Vëmendja e madhe e kancelarit gjerman Olaf Scholz për Ballkanin Perëndimor po sinjalizon qartë fundin e kohës së Merkelit, duke sjellë një dimension të ri në qasjen e Gjermanisë ndaj politikës rajonale dhe botërore. Kancelari gjerman ka qenë më i qartë se çdo lider evropian, apo zyrtar amerikan për politikat ballkanike në kuadër të Procesit të Berlinit. Qëndrimi i tij ndaj dyshes Rama-Vuçiç po tregon se koha e eksperimenteve të Merkelit me Ballkanin ka përfunduar. Gjatë gjithë turneut të tij, kancelari gjerman përplasi në brigjet e tij projektin e pistë të Ballkanit të Hapur, duke “hedhur në erë” projektin ogurzi antishqiptar. Nëse Lavrov e demaskoi këtë projekt, si pjesë e një diversioni për të futur vendet e Ballkanit në sherr me Brukselin, duke i dhënë “Puthjen e Vdekjes”, kancelari gjerman ishte ekzekutuesi i pazareve Vuçiç-Rama.

Samiti i Procesit të Berlinit në 16 tetor të këtij viti në Tiranë

Kthesa e Ramës ka ardhur gradualisht, pasi do të jetë Tirana, e cila është zgjedhur që të presë Samitin e Procesit të Berlinit në 16 tetor të këtij viti. Ky ishte vendim u mor pas takimit në muajin mars mes kancelarit gjerman dhe kryeministrit shqiptar në Berlin. Vitet e fundit, SHBA dhe BE kanë vendosur kushte të prera për funksionimin e nismës së përbashkët të bashkëpunimit rajonal “Ballkani i Hapur”, e inicuar nga vetë Rama dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Kushtet janë: pjesëmarrje të gjitha shteteve të BP dhe funksionalitet sipas rregullave të BE. Nuk dihet nëse Rama ka pasur presion nga Scholz për të pranuar mbajtjen e këtij samiti në Tiranë apo ka qenë vetë vullneti i kryeministrit tonë për të treguar gadishmëri dhe përulje ndaj Berlinit e Brukselit.

Ja si Parlamenti Europian “ndëshkoi” me rezolutë “Ballkanin e Hapur”

Edhe Parlamenti Europian e ka kundërshtuar hapur dhe me votë “Ballkanin e Hapur”. Në 23 nëntor të vitit 2022, u votua me 502 vota pro, 75 kundër dhe 62 abstenim rezoluta e hartuar nga eurodeputeti socialdemokrat kroat Tonino Picula. Eurodeputetët e cilësuan nismën bashkëpunuese si përjashtuese ndaj shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe në kundërshtim me rregullat e BE. “Shprehim rezerva të forta për çdo bashkëpunim ekonomik rajonal, apo iniciativë që nuk përfshin të 6-të vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nuk është bazuar në rregullat e BE-së, siç është nisma e ‘Ballkanit të Hapur”, thuhet në rezolutë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat