Rama: E pakonceptueshme për aleatët refuzimi i Kosovës për të hedhur një hap për de-eskalim

Aktuale

Rama: E pakonceptueshme për aleatët refuzimi i Kosovës për të hedhur një hap për de-eskalim

Më: 27 qershor 2023 Në ora: 15:23
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas takimeve me autoritetet më të lartë të BE-së, duke thënë se këto takime ishin lajm i mirë lidhur me progresin e Shqipërisë në negociatat me BE-në.

Por, sipas Ramës, në këto takime ishte tejet brengosës konstatimi, sipas tij, i regresit të marrëdhënieve të Kosovës me bashkësinë euro-atlantike.

“BE-ja e mbështetur nga SHBA ka  vënë në Tryezën e Dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, planin më të mirë të mundshëm të normalizimit, i cili paqton më në fund Ballkanin Perëndimor, duke i hapur rrugë edhe njohjes së plotë ndërkombëtare të Kosovës”

“Është e pakonceptueshme për aleatët tanë strategjikë, që Kosova vazhdon refuzon të hedhë qoftë edhe një hap të vetëm konkret e konstruktiv për de-eskalimin e situatës gjithnjë e më të rrezikshme në Veriun e Republikës së Kosovës”, tha Rama.

Tutje, ai tha se kësisoj, Beogradi po ia del të fshihet pas mjegullës, që sipas tij, qasja e pashpjegueshme e Qeverisë së Kosovës po krijon me bashkësinë euroatlantike, sidomos pas lirimit të tre policëve të Kosovës nga Serbia.

“Është koha për një konferencë të nivelit më të lartë, të thirrur nga Franca e Gjermania, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, ku të dyja palët të mos ngrihen nga tryeza e dialogut, deri në nënshkrimin e një marrëveshjes së plotë të normalizimit, përfshirë natyrisht edhe dakordësimin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës”, tha Rama.

Më tej, kreu i qeverisë shqiptare tha se Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet një forcë që promovon paqen e mbron stabilitetin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat