Schneeberger: Kosova me ofertë konkrete për shtensionim të situatës – po pala serbe?

Aktuale

Schneeberger: Kosova me ofertë konkrete për shtensionim të situatës – po pala serbe?

Më: 30 qershor 2023 Në ora: 10:31
Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger

Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, ka reaguar pas hapave që kryeministri i vendit, Albin Kurti, i prezantoi dje si mënyrë për t’u shtensionuar situata në veri.

Ajo tha se Kosova tashmë ka një ofertë për shtensionimin e situatës, por jo edhe pala serbe.

“Këtu oferta nga Kosova për të de-përshkallëzuar situatën. A ka edhe ofertë konstruktive nga pala serbe? Ju lutem mos ngurroni të postoni në komente nëse dikush ka gjetur diçka”, ka shkruar Scheeberger në llogarinë e saj në Twitter.

Kujtojmë se dje Kurti prezantoi tetë hapa përmes të cilëve, sipas tij, do të ndodhte shtensionimi i situatës në veri.

Më poshtë gjeni hapat e prezantuar nga Kurti:

Reduktimi i pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre, gradualisht dhe proporcionalisht me reduktimin e dhunës;

Qasja e plotë në proceset gjyqësore të kryesve të dhunës, dhe monitorimi i proceseve, nga ana e EULEX-it dhe OJQ-ve të interesuara të të drejtave të njeriut;

Zgjedhje të parakohshme aktivizohen në katër komunat veriore nga një peticion për tërheqje i përkrahur nga të paktën 20 përqind të elektoratit, siç parashihet në legjislacionin e Kosovës. Pas konfirmimit që janë përmbushur kërkesat për tërheqje, data e zgjedhjeve shpallet nga Presidentja;

Katër kryetarët e komunave në fjalë do të udhëzohen që t’ua dorëzojnë autoritetin e tyre kryetarëve të rinj të komunave pas certifikimit nga KQZ-ja në përputhje me legjislacionin e Kosovës.

Ndërkohë nga Serbia presim si në vijim:

Tërheqja e protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre;

Zotimi për bashkëpunim në paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve nga ana e Kosovës, me monitorim nga ana e EULEX-it dhe garanci të plota për gjykim të drejtë;

Reduktimi i gatishmërisë së forcave të armatosura në nivel të ulët, asnjë lëvizje e re e trupave, heqja e 48 Bazave të Përparme Operative që ndodhen përgjatë kufirit.

Serbia të mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm, pa asnjë frikësim, detyrim apo ndikim korruptiv, në procesin e zgjedhjeve lokale të Kosovës.

Të dyja palët, Kosova dhe Serbia, zotohen të respektojnë plotësisht rregullat e Tregut të Përbashkët Rajonal të Procesit të Berlinit dhe pajtueshmërinë me acquis të BE-së për tregtinë e lirë rajonale sipas marrëveshjeve të bëra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat