Shkarkohet kryesuesi i KK në Gjilan, kryetari Hyseni: Kjo është një tentativë për ta prishur LVV ndërmjet vete

Aktuale

Shkarkohet kryesuesi i KK në Gjilan, kryetari Hyseni: Kjo është një tentativë për ta prishur LVV ndërmjet vete

Më: 30 qershor 2023 Në ora: 14:41
Arianit Sadiku

Kuvendi Komunal i Gjilanit, në një seancë të jashtëzakonshme, të cilën e ka udhëhequr anëtari më i vjetër, Ismajl Kurteshi, me 19 vota për dhe një kundër e ka shkarkuar kryesuesin e deritashëm Arianit Sadiku.

Kërkesën për shkarkimin e kryesuesit, në emër të 19 anëtarëve të Kuvendit, të cilët e kanë iniciuar këtë çështje, e ka arsyetuar Avdyl Aliu (LDK).

Aliu ka thënë se Kuvendi nuk ka funksionuar mirë që prej fillimit, ndërkaq prej korrikut të vitit 2022 e këndej është futur në krizë dhe nuk po mund të funksionojë, si pasojë e mungesës së bashkëpunimit, prandaj nuk ka kuptim për të vazhduar kësisoj më tutje.

Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka thënë adresimi për dështimin e seancave të Kuvendit Komunal, nuk mund të drejtohet vetëm nga një person, sepse kryesuesi e ka për obligim vetëm administrimin e seancës, por jo edhe sigurimin e numrave.

Për më tepër ai tha se qëllimi i opozitës, përmes kësaj loje të fshehtë e tinëzare, është diku tjetër.

“Kjo është një tentativë për ta prishur LVV ndërmjet vete, siç u veprua me koalicionin, por kjo nuk do të ndodh”, tha Hyseni.

Kryesuesi i ri i Kuvendit nuk ka mundur të zgjidhet sot, meqë ishte vetëm një propozim, Kushtrim Kadriu (Vatra) ndërkaq, sipas statutit, duhet të jenë së paku dy propozime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat