Kurti viziton kazermën “Evropianët e rinj” në Pomozatin dhe “Minatori” në Mitrovicë

Aktuale

Kurti viziton kazermën “Evropianët e rinj” në Pomozatin dhe “Minatori” në Mitrovicë

Më: 30 qershor 2023 Në ora: 20:11
Pamje nga vizita

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, kanë vizituar kazermën Evropianët e rinj” në Pomozatin dhe kazermën “Minatori” në Mitrovicë.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në këto kazerma po bëhet ligjërimi nga ana e instruktorëve të FSK-së për nxënësit e ciklit të mesëm të lartë, për temat që përfshihen në planprogramin e lëndës “Edukim për Siguri”.

“Ngritja e tendave, përdorimi i litarëve dhe orientimi në natyrë, ishin temat të cilat u trajtuan sot në aspekt teorik e praktik nga ana e ligjëruesve të Qendrës Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit në Pomozatin dhe kazermën në Mitrovicë. Me përfundimin e këtij cikli të ligjëratave, të rinjtë që kanë ndjekur këto trajnime do të jenë të aftë për të ndihmuar të tjerët në situata emergjente, dhe në raste të fatkeqësive natyrore”, thuhet në komunikatë.

Kurti gjatë kësaj vizite thotë se ka shpresuar  që shumë nga të rinjtë, por edhe të tjerët që do të vijnë pas tyre, do ta marrin si lëndë zgjedhore në shkolla “Edukimin për Siguri”.

Në komunikatë bëhet e ditur se ky program pritet që nga shtatori të zhvillohet në 8 kazerma nëpër qytetet e Kosovës dhe me 2100 nxënës pjesëmarrës.

“Kryeministri pati mundësinë që të shoh nga afër ligjëratat dhe trajnimet si dhe të bashkëbisedojë më ligjëruesit, instruktorët dhe nxënësit që po ndjekin këto mësime. Programi “Edukimi për Siguri”, është program i cili ka për qëllim edukimin dhe trajnimin e nxënësve të shkollave të mesme të Republikës së Kosovës, në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Ky projekt po realizohet në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes, Forcës së Sigurisë, Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat