SHBA “vë në rresht” Serbinë për të zgjidhur çështjen e Kosovës, nxirret “jashtë loje” Edi Rama

Aktuale

SHBA “vë në rresht” Serbinë për të zgjidhur çështjen e Kosovës, nxirret “jashtë loje” Edi Rama

Më: 1 korrik 2023 Në ora: 11:58
Edi Rama

Rrëmbimi i tre policëve në territorin e Kosovës nga autoritetet serbe, për një moment u duk sikur krijoi një ngërç mes Amerikës dhe Serbisë, sidomos pas thirrjeve nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe vetë Sekretari Antony Blinken. Megjithatë, zgjati vetëm 12 ditë, deri në lirimin e tre qytetarëve, dhe gjithçka u “mjegullua”. Së fundmi, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se Serbia dhe Amerika janë si dy miq që kanë ndarë rrugët e tyre në të kaluarën, por tani janë sërish bashkë dhe mesazhi i tij është se suksesi i Serbisë është në interes të SHBA. Hill, në pritjen me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, theksoi se “një mik flet për të kaluarën dhe një tjetër për të ardhmen”, por e rëndësishme është që ata të jenë sërish bashkë dhe të tregojnë respekt dhe mirëkuptim. Mirëpo, me deklaratat e tij,sërish u krijua ideja se SHBA e ka një “të preferuar” në Ballkan, dhe ndonëse do të jepte gjithçka që të ishte, nuk është kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Përkundrazi, “i përkëdheluri” mbetet presidenti serb, Aleksandër Vuçiç si dhe vendi i tij, që pavarësisht të gjithave, iu shërben më së miri interesave amerikane, edhe për çështjen e Kosovës. Ndryshe nga Rama, i cili, jo pak herë, kërkon të “fusë hundët” kudo, që nga Asociacioni tek lirimi i Policëve të Kosovës. Ndaj, me apo pa dëshirën e tij, Amerika e ka nxjerrë “jashtë loje” kryeministrin shqiptar dhe duket e vështirë të zhbëhet, sidomos aktualisht, kur duket se Kosova dhe Serbia, s’kanë nevojë për një “lojtar të tretë”.

Drafti për Asociacionin

Goditja e parë për Edi Ramën, erdhi menjëherë pasi ai mendoi se kishte “shpikur rrotën” për herë të dytë, me draftin për zgjidhjen e konfliktit, që tha se i ishte dorëzuar si SHBA-së, Gjermanisë dhe Francës. Megjithatë, është e kuptueshme që nuk mund të merrte falënderime, për një “nder” që nuk ia kishte kërkuar askush. Në vend të kësaj, ajo që mori ishte injorim, urrejtje dhe një “shuplakë”.

Injorim nga liderët e Beogradit dhe Prishtinës, që nuk e përfillën draftin e tij. Urrejtje nga shqiptarët e Kosovës. Dhe një “shuplakë” nga Amerika, që  nëpërmjet Kurtit dhe Vuçiçit i tregoi vendin, sërish. Kryeministri i Kosovës tha se nuk e kishte parë dhe as lexuar draftin e asociacionit të propozuar nga Rama, ndërsa Vuçiç deklaroi se të drejtën e propozimit të këtij statuti e ka vetëm ekipi menaxhues.

Lirimi i tre policëve

Edhe për lirimin e tre policëve, Rama u përpoq pafundësisht, të dukej se kishte ndonjë “grimcë ndikimi”. Fillimisht, kërcënoi se marrëdhëniet me Serbinë do të “ngriheshin” derisa policët të liroheshin, ndërsa, pas lirimit të tyre,postoi foto nga takimi me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, për të treguar se edhe ai kishte ndikuar. Nga Brukseli, kutha se ndodhejpër shkak të tensioneve në Veri të Kosovës, kryeministri komentoi me doza pozitiviteti lirimin e tre policëve, por sipas tij, lajmi ishte i vonuar. “Uroj që me forcën e arsyes të nisë menjëherë de-eskalimi i shumëpritur nga të gjithë dhe të zgjidhim më tej edhe nyjet e procesit të normalizimit përfundimtar mes Kosovës e Serbisë”, shkruante Rama. Sigurisht, gjithnjë, kur bëhet fjalë për Kosovën, ai flet në vetën e parë shumës, duke e përfshirë edhe veten automatikisht krah Kosovës e Serbisë, palëve protagoniste, ndonëse askush nuk e ka kërkuar as për “figurant”.

Rrëzimi i “Ballkanit të Hapur”

Megjithatë, kryeministri Edi Rama mund të jetë gjithçka, veçse naiv. Ai duket se me “nuhatjen e stërvitur politike”, ka kuptuar se Perëndimi e ka nxjerrë “jashtë loje” dhe tani duket se po vë në zbatim planin B. Ai duket se ka njoftuar rrëzimin e projektit ruso-serb, i quajtur ndryshe “Ballkani i Hapur”. Para pak javësh, e ka mbrojtur me “mish dhe me shpirt”, ndërsa teksa komentonte lirimin e policëve, ai përmendi në Twitter-in e tij vetëm Procesin e Berlinit dhe jo nismën që krijoi me Vuçiçin si proces për stabilizimin e rajonit dhe ndërtimin e paqes. “Ballkani i Hapur” duket se po hidhet në erë, por bashkë me të edhe përpjekjet e Ramës për tu shfaqur si “pëllumb paqeje”./Gazeta Sot.com.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat