Sot u ftua nga Specialja: Historia e dënimit të “Remit” nga Gjykata Themelore e Prishtinës

Aktuale

Sot u ftua nga Specialja: Historia e dënimit të “Remit” nga Gjykata Themelore e Prishtinës

Më: 1 korrik 2023 Në ora: 15:30
Rrustem Mustafa – Remi

Rrustem Mustafa – Remi, komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën e Llapit është ftuar sot për të dëshmuar nga Gjykata Speciale në Hagë. Por, “Remi” ka një histori të gjatë të përballjes me drejtësinë.

Ai në vitin 2013 ishte shpallur fajtor nga Gjykata Thenelore në Prishtinë për torturimin e të burgosurve të luftës bashkë me Latif Gashin dhe Nazmi Mehmetin.

Në këtë vendim, “Remi” ishte dënuar me katër vjet burgim, ndërsa Latif Gashi ishte dënuar me gjashtë vjet burgim dhe Nazmi Mehmeti me tre vjet burgim. Vendimi ndaj tyre ishte apeluar në Gjykatën e Apelit, ndërsa në një vendim të vitit 2015, shkalla e dytë e kishte lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore.

Ata u shpallën fajtorë nën akuzat se kishin abuzuar fizikisht me civilët shqiptarë të Kosovës që pretendohej se mbaheshin të mbyllur në një qendër burgimi të UÇK-së në Llapashticë në përpjekje për t’i detyruar ata të pranonin tradhtinë ndaj UÇK-së nga tetori 1998 deri në prill 1999, gjatë konfliktit me forcat serbe.

“Remi” ishte liruar me kusht më 14 korrik të vitit 2016.

“Grupi i Llapit” ishte shpallur fajtorë për krime lufte të kryera gjatë viteve 1998-1999, të përshkruara si “trajtim çnjerëzor të civilëve të paraburgosur, rrahje dhe torturim i civilëve”. Ata ishin dënuar për tri pika të aktakuzës.

Pika e pestë e asaj aktakuze thoshte se: “prej muajit tetor të vitit 1998 deri na fundi i muajit prill të vitit 1999, Latif Gashi, Natif Mehmeti dhe Rrustem Mustafa, duke vepruar në bashkërendim me persona të tjerë të paidentifikuar dhe në një ndërmarrje penale të përbashkët, kanë urdhëruar dhe kanë marrë pjesë në themelimin dhe vazhdimin e trajtimit çnjerëzor të civilëve shqiptar të Kosovës që mbaheshin në paraburgim në qendrën e paraburgimit në Llapashticë, duke i mbajtur civilët në kushte jonjerëzore, duke mos u siguruar kushte të duhura higjienike, ushqim dhe ujë, si dhe trajtimin mjekësor. Trajtimi çnjerëzor i civilëve të paraburgosur ka shkaktuar vuajtje të mëdha dhe ishte shkelje e integritetit trupor dhe e shëndetit të personave të paraburgosur dhe ka përbërë zbatimin e masave të frikësimit dhe terrorit.”

Pika tetë e aktakuzës ngarkonte grupin e Llapit me akuzat se: “prej muajit tetor të vitit 1998 deri nga fundi i muajit prill i vitit 1999, Latif Gashi, Nazif Mehmeti dhe Rrustem Mustafa, duke vepruar në bashkërendim me persona të tjerë të paidentifikuar dhe në bazë të një ndërmarrje penale të përbashkët, kanë urdhëruar dhe kanë marrë pjesë në rrahjen dhe torturimin e civilëve shqiptar të Kosovës që mbaheshin në paraburgim në Llapashticë, në një përpjekje që të detyrojnë të paraburgosurit të pranojnë veprimet e tradhtisë ndaj UÇK-së.”

Ndërkaq, pika 14 thoshte se: “prej 2 gushtit të vitit 1998 deri nga fundi i muajit shtator të vitit 1998 Nazif Mehmeti dhe Rrustem Mustafa, duke vepruar në bashkërendim me persona të tjerë të paidentifikuar dhe në bazë të një ndërmarrje penale të përbashkët, kanë urdhëruar dhe kanë marrë pjesë në rrahjen dhe torturimin e Milovan Sankoviqin një pylltar serb, të cilin e kanë mbajtur në paraburgim në qendrat e paraburgimit në Barë, Bajgorë dhe vende tjera të afërta në kuadër të Zonës së Llapit, në një përpjekje që të detyrojnë të pranojnë veprimet e tradhtisë ndaj UÇK-së ose të sigurojnë informacion inteligjent.”.

Por, Rrustem Mustafa – Remi ishte dënuar edhe më parë nga gjyqtarët e UNMIK-ut në vitin 2003, me 17 vjet burgim. Bashkë me të, ishin dënuar edhe Nazif Mehmeti me 13 vjet, Latif Gashi 10 vjet dhe Naim Kadriu-Lumi 5 vjet burgim, i cili kishte vdekur në një aksident komunikacioni.

Gjykata Supreme e Kosovës, në vitin 2005 e kishte prishur lëndën dhe e kishte kthyer në rigjykim.

Pas kësaj, më 7 korrik të vitit 2009, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë kishte filluar rigjykimi kundër Latif Gashit, Nazif Mehmetit dhe Rrustem Mustafës. Gjatë seancës së provave të këtij rigjykimi ishin mbajtur dymbëdhjetë seanca dëgjimore. Lënda ishte ndjekur nga një prokuror i EULEX-it.

Latif Gashi, Naim Kadriu dhe Nazif Mehmeti ishin arrestuan më 28 janar 2002, në bazë të kërkesës së një prokurori ndërkombëtar të UNMIK-ut. Ndërsa hetimet juridike ishin kryer nga një gjykatës ndërkombëtarë. Në procesin gjyqësor ndaj “Grupit të Llapit” kishin dëshmuar rreth 50 dëshmitarë, 5 prej të cilëve anonimë dhe 12 të mbrojtur. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat