Për 5 vite shteti ka harxhuar mbi 6 milionë euro për veturat me qira

Aktuale

Për 5 vite shteti ka harxhuar mbi 6 milionë euro për veturat me qira

Më: 1 korrik 2023 Në ora: 23:02
Foto ilustrim

Miliona euro të buxhetit të Kosovës u shpenzuan për veturat me qira, që po përdorin disa nga institucionet. Por, shumë e njëjtë do të shpenzohet sërish, për shkak se është hapur tender për blerjen e 240 veturave. Shoqëria civile thotë se me këto veprime të paplanifikuara, po dëmtohet e po keqmenaxhohet buxheti.

Me vetëm një veturë rrezikon të mbesë Zyra për Mbrojtjen e Viktimave në Prishtinë.

Kjo për shkak se një veturë tjetër të cilën e kanë shfrytëzuar deri më tash, duhet që ta kthejnë muajin tjetër pasi kontratës i skadon afati.

Ky institucion publik është njëri nga shumë institucionet në Kosovë që ka shfrytëzuar për 5 vite e gjysmë vetura me qira.

Agjencia Qendrore e Prokurorimit gjatë vitit 2018 ka nënshkruar dy kontrata për marrjen e mbi 350 veturave, duke i kushtuar buxhetit rreth 7 milionë euro.

Një tender i ri, me një shumë të ngjashme është hapur edhe këtë muaj nga AQP-ja. Por, këtë herë me rreth 7 milionë euro është planifikuar të blihen 240 vetura për institucione të ndryshme të Kosovës.

Sipas dosjes së tenderit, më shumë vetura do i dedikohen Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës, Këshillit Gjyqësor e atij Prokurorial të Kosovës.

Por, një nismë e tillë po shihet e vonuar nga Lëvizja FOL.

“Ato vetura të cilat janë paguar me qira janë paguar dyfish sesa do i kushtonte qeverisë për të blerë ato vetura, gjë që është diskutabile sepse më e nevojshme dhe më e arsyeshme kishte qenë me i ble sesa me i marr me qira, sepse kjo i kushton kosto të dyfishtë buxhetit”, ka deklaruar Viola Bunjaku – Lëvizja FOL.

Sipas Bunjakut, institucionet do duhej të i përdornin edhe veturat që shpesh i vendosin në shitje.

“Kemi pasur edhe para dy muaj shitje të veturave që kanë qëndruar në garuzhdën e qeverisë, dhe kështu kemi një shpenzim të buxhetit dhe është keqmenaxhim i parasë”, ka deklaruar tutje ajo.

Zyrtarë brenda disa institucioneve që shfrytëzojnë veturat me qira, i kanë thënë televizionit se nga muaji korrik duhet të i kthejnë të gjitha veturat dhe se do të jetë kaos si shkak i numrit të vogël të veturave që kanë në dispozicion.

Nga Agjencia Qendrore e Prokurorimit kanë thënë se tenderë për vetura me qira do të ketë vetëm për trupat inspektuese, bazuar në vendimin e ekzekutivit.

“Të gjitha kontratat e centralizuara të nënshkruara nga AQP janë të publikuara në web faqen e AQP-së, në linkun: https://aqp.rks-gov.net/kontratat-e-centralizuara/​ , pra këtu mund të gjeni edhe kontratat “Shfrytëzimi afatgjatë i automjeteve me qira” ku mund t’i gjeni të gjitha të dhënat lidhur me kontratat në fjalë. Ndërsa ju njoftojmë që AQP ka shpallur procedurën e prokurimit fillimisht për furnizim me vetura për institucionet e Republikës së Kosovës, kjo pas vendimit të Qeverisë të datë 26.04.2023 (procedura është e hapur dhe e qasshme për të gjithë në e-prokurimi). Ndërsa shumë shpejt do të publikohet edhe aktiviteti i prokurimit “Vetura me qira për trupat inspektuese” edhe kjo bazuar në vendimin e njëjtë të Qeverisë me nr.07/140.  Pra Momentalisht AQP është e autorizuar për zhvillimin e aktivitetit të prokurimit për marrje me qira të veturave vetëm për trupat inspektuese”, ka theksuar AQP-ja.

Institucionet që më së shumti kanë shfrytëzuar veturat me qira janë Këshilli Gjyqësor, Policia e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës, e disa prej ministrive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat