Masakra në Burgun e Dubravës, Dugolli merr përgjigje nga Prokuroria Speciale për hetim

Aktuale

Masakra në Burgun e Dubravës, Dugolli merr përgjigje nga Prokuroria Speciale për hetim

Më: 2 korrik 2023 Në ora: 19:58
Enver Dugolli

Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, ka njoftuar se ka marrë letër nga Prokuroria e Specializuar.

Sipas tij, Prokuroria e ka njoftuar se do ta shqyrtojë kërkesën e tij lidhur me incimin e hetimeve për masakrën e Burgut të Dubravës.

Dugolli i cili është një nga të mbijetuarit nga kjo masakër, në maj të këtij viti kishte deponuar dëshmi në Gjykatën Speciale dhe kërkesë për hetime.

Dua t’ju informoj se kam pranuar një letër nga Prokuroria e Specializuar në Hagë. Letra konfirmon se Prokuroria ka marrë shkresën që i kam dërguar me postë më 29 prill, në të cilën kërkova nisjen e hetimeve të krimeve të kryera gjatë planifikimit dhe ekzekutimit të masakrës së Burgut të Dubravës. Letra e Prokurorisë po ashtu njofton se kërkesa ime do të shqyrtohet nga ana e tyre”.

“Ju falemnderit të gjithëve për mbështetjen tuaj. Mbetem me shpresë se Prokuroria e Specializuar do t’i japë fund pandëshkueshmërisë së autoriteteve të larta të Serbisë për këto krime monstruoze, si dhe ta shfrytëzojë këtë rast për të sqaruar përfundimisht nëse Gjykata Speciale është, apo s’është, gjykatë një-etnike”, njofton më tej Dugolli.

Më herët kishte thënë se në bazë të argumenteve të parashtruara me këtë shkresë, nuk mbetet më asnjë dyshim: prokuroi i specializuar ka juridiksion të plotë për ta hetuar këtë rast.

Masakra e Burgut të Dubravës është kryer prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999, duke mbetur të vrarë 160 shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë.

Kjo masakër konsiderohet si një nga më të mëdhatë të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve.

Deri më tani nuk ka ndonjë person të dënuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat