Vrasja në Viti, familjarët e të dënuarve publikojnë videon e ngjarjes: “Gjykim skandaloz”

Aktuale

Vrasja në Viti, familjarët e të dënuarve publikojnë videon e ngjarjes: “Gjykim skandaloz”

Më: 3 korrik 2023 Në ora: 09:45
Pamje nga video

Familjarët e Samet dhe Fisnik Ismajli, dy të dënuar për vrasjen e kushëririt të tyre M.I., e kanë cilësuar skandaloz aktgjykimin e Gjykatës së Apelit që e la në fuqi dënimin me burgim ndaj të dënuarve, ndonëse ua zbuti dënimin me disa vite më pak burgim.

Disa javë më parë, Gjykata e Apelit e vendosi që Samet dhe Fisnik Ismaili, si dhe kushëriri i tyre Besmir Ismajli, të vuajnë secili nga 21 vite burgim për vrasjen e M.I. në Sadovinë të Vitisë më 2019.

Sipas një reagimi të familjarëve të Samet dhe Fisnik Ismaili, asnjëri prej tyre nuk janë fajtorë për vrasjen e kushëririt të tyre.

“Përmes këtij reagimi publik, avokatët e dy të akuzuarve për një vrasje me dashje të ndodhur në Sudovinë të Gjilanit, njoftojnë publikun e gjerë rreth procesit dhe gjykimit skandaloz, i cili për epilog nxjerrë fajtor dy qytetar të pafajshëm për një vepër për të cilën nuk janë fajtor, duke i dënuar secilin me burgim me nga 21 vite secilin pa e goditur/prekur viktimën”, thuhet në reagim.

Familjarët e dy të dënuarve kanë publikuar një video të vrasjes së ndodhur në nëntor të vitit 2019.

Sipas tyre, kjo provë dëshmon se Samet dhe Fisnik Ismaili nuk e kishin prekur me dorë të ndjerin, i cili kishte vdekur pas lëndimeve të marra nga goditjet me shufra metalike.

Në materialin e bashkëlidhur mund të shihet në video, e shënuar me shigjeta, se të dënuarit Samet dhe Fisnik dhe familjarët e tyre në pronën e tyre sulmohen nga familja e të ndjerit”, thuhet në reagim.

Prokuroria Themelore në Gjilan, në nëntor të 2019-ës, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Besmir, Samet, Fisnik, Ismet dhe Hizri Ismajli, me arsyetimin se të njëjtit, në maj të vitit 2019, në fshatin Sadovinë me dashje dhe në bashkëkryerje, për motive pasurore-pronësore, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin M.I.

Sipas aktit akuzues, kjo ka ndodhur në atë mënyrë që të akuzuarit fillimisht shkojnë për të punuar në pronën kontestuese, e cila gjendet në afërsi të shtëpisë së tani të ndjerit M.I, me këtë rast ky i fundit me familjarët e tij dalin për të biseduar lidhur me arritjen e një marrëveshjeje, për çka këta të fundit refuzojnë, e që më pas vazhdojnë me fyerje, të cilat sjellin eskalimin e situatës deri në konflikt fizik.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit me mjete të forta si drunj dhe shufra metalike, e godasin tani të ndjerin në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar gërvishtje dhe gërvishtje lëkurore, për çka i njëjti nga familjarët transportohet në Shtëpinë e Shëndetit në Viti, e më pas si rast urgjent dërgohet në Qendrën Emergjente të Spitalit Regjional në Gjilan.

Pas kësaj, i ndjeri transferohet në QKUK në Prishtinë, ku edhe konstatohet vdekja e tij si rezultat i gjakderdhjes masive në kokë, e shkaktuar nga përdorimi i mjeteve të forta.

Reagim publik i familjarëve të Samet dhe Fisnik Ismajli:

Ndaj dënimeve absurde të Gjykatës së Gjilanit dhe Gjykatës së Apelit për Samet dhe Fisnik Ismajlin të dënuar për vrasje me dashje pa e prekur/goditur fare viktimën

Prishtinë, 03 korrik 2023 – Përmes këtij reagimi publik, avokatët e dy të akuzuarve për një vrasje me dashje të ndodhur në Sudovinë të Gjilanit, njoftojnë publikun e gjerë rreth procesit dhe gjykimit skandaloz, i cili për epilog nxjerrë fajtor dy qytetar të pafajshëm për një vepër për të cilën nuk janë fajtor, duke i dënuar secilin me burgim me nga 21 vite secilin pa e goditur/prekur viktimën.

Sipas provave dhe dëshmive të administruara, por të cilat nuk janë të dukshme për gjykatën, rezulton se Samet dhe Fisnik Ismajli nuk e kanë prekur me dorë viktimën, e lërë më ta godasin dhe ti shkaktojnë vdekjen nga goditjet, por pavarësisht kësaj, Gjykata e Gjilanit secilin prej tyre e ka dënuar me nga 21 vite burgim, ndërsa Gjykata e Apelit i ka ulur dënimet në 18 vite burgim për secilin.

Në këtë reagim publik, i cili shpërfaq një fytyrë të drejtësisë së dyshimtë, do të shpalosen provat dhe dëshmitë, përmes të cilave publiku do të kuptojë se si dëshmitarët që kanë interes në këtë çështje, kanë përshtatur deklaratat dhe kanë shtuar faktet pas deklarimit fillestar në polici. Të gjitha deklarimet e plotësuara kanë pasur për qëllim që këta të dy, Samet dhe Fisnik Ismajli të dënohen me dënime sa më të larta anipse nuk e kanë prekur fare viktimën.

Në këtë rast, i cili ka përfunduar më një viktimë, në mes palëve në procedurë penale ka një interes pasuror, ku familja e Samet dhe Fisnik Ismajlit kishin blerë një pronë, të cilën familja e viktimës, në ditën kritike i kishte penguar ta punonin.

Në materialin e bashkëlidhur mund të shihet në video, e shënuar me shigjeta, se të dënuarit Samet dhe Fisnik dhe familjarët e tyre në pronën e tyre sulmohen nga familja e të ndjerit.

Siç shihet në video, por që gjykatat tona nuk kanë qenë të interesuara të ekzaminojnë me kujdes provën në fjalë, video incizimin, asnjëri, as Sameti e as Fisniku nuk e kanë prekur me dorë viktimën e lëre më t’i shkaktojnë plagë vdekjeprurëse me mjet të fortë.

Sipas videos që është provë në gjykim, shihet se Sameti gjatë përleshjes e kap një anëtar të familjes së viktimës dhe tenton ta largoj dhe ta neutralizoj, duke e kapur të njëjtin për të mos u rrahur. Njëjtë kështu edhe Fisniku. Këto veprime qartazi shihen në video incizim.

Distanca në mes viktimës dhe Sametit dhe Fisnikut është e konsiderueshme. (shihni shigjetat ne video incizim mbi Sahmetin i shënuar me shigjetën ngjyrë kafe dhe Fisnikun i shënuar me shigjetë me ngjyrë të kaltër, lëvizjet e tyre dhe pozicionin e viktimës i shënuar me shigjetën e zezë).

Qartazi shihet se viktima nga goditja e tjetërkujt, fatkeqësisht bjen pa vetëdije në tokë dhe se siç shihet para dhe pas këtij momenti – asnjëri – as Sameti as Fisniku as që i janë afruar viktimës e lëre më ta kenë goditur. Samedi dhe Fisniku as që kanë mjete të forta në dorë. Ndërsa gjykatat tona i kanë shpallur fajtor të dytë, gjoja se ata me mjete të forta e kanë goditur viktimën.

Çështja penale ka vërtetuar përmes ekspertizës se viktima ka nderuar jetë nga një goditje, deri sa Sameti dhe Fisniku dënohen të dy për vrasje gjoja se e kanë goditur viktimën secili nga ta mirëpo me aktgjykim dënohen tre persona, këta të dy dhe Besmir Ismajli (në video me bluzë të kuqe). Besmiri është i vetmi që e pranon se e ka goditur i vetmi viktimën. Gjykata edhe pse gjene se një goditje është vdekjeprurëse, i dënon të tre këta, Besmirin, Sametin dhe Fisnikun.

Përmes këtij reagimi publik, kërkojmë prej mediave të hulumtojmë dhe publikojnë këto prova dhe dëshmi, të cilat vërtetojnë se si funksionon në raste të caktuara drejtësia në Kosovë, ku njerëz të pafajshëm, marrin dënime drastike, pa pasur asnjë faj dhe që për fat të mirë, kjo pafajësi e tyre, dëshmohet përmes video incizimeve.

Dokumenti i bashkëlidhur në këtë reagim paraqitet në kronologji rrjedhën e shkeljeve në këtë rast, manipulimet e dëshmitarëve, si dhe materialet video dhe foto të shënuara me shigjeta për të kuptuar me lehtë çështjen e që të gjitha këto dëshmojnë të vërtetën e kësaj ngjarje se dy qytetar janë dënuar me vendim të Gjykatës Themelore në Gjilan me nga 21 vit burgim secili, ndërsa Gjykata e Apelit e ka ulur këtë dënim në 18 vite secilit.

Bashkëlidhur gjeni video-n në versionin origjinal por me shigjeta për të identifikuar lëvizjet dhe në versionin e video incizimit në lëvizje të ngadalësuara.

Për sqarime dhe deklarime rreth kësaj ngjarje, gjykimit dhe vlerësimit të fakteve dhe provave nga gjykatat ju lutem kontaktoni av. Kujtim Kërveshi për z. Samet Ismajli dhe av. Florent Latifaj për Fisnik Ismajli.

Në emër të familjes, Ju falënderit paraprakisht!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat