Osmani dekoroi me medalje udhëheqësit ushtarakë amerikanë në KFOR

Aktuale

Osmani dekoroi me medalje udhëheqësit ushtarakë amerikanë në KFOR

Më: 3 korrik 2023 Në ora: 10:34
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar me medaljen presidenciale ushtarake kolonelin Chris M Mabis

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar me medaljen presidenciale ushtarake kolonelin Chris M Mabis dhe nënkolonelin Jared B. Sheets, për udhëheqjen dhe përpjekjet e jashtëzakonshme për garantimin e sigurisë, paqes dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, gjatë shërbimit të tyre në kuadër të forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë, me rastin e përfundimit të mandatit të tyre. Me këtë rast, ajo ka thënë se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ekzistenciale.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se Osmani i ka ndarë mirënjohje presidenciale togeres Ryann Laky nga Shtabi i Gardës Kombëtare të Indianës, për kontributin e saj në ndërlidhjen dhe bashkëpunimin me Policinë e Kosovës si dhe fuqizimin e grave në sektorin e sigurisë.

Pasi që ka falënderuar të tre ushtarakët amerikanë dhe gjithë ushtarë e KFOR-it për angazhimin e tyre për garantimin e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke rrezikuar edhe jetën e tyre, presidentja Osmani theksoi se lidershipi i tyre ka luajtur rol thelbësor në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon në një kohë të ndjeshme.

“Populli i Kosovës është përherë falënderues ndaj kontributit të pazëvendësueshëm dhe të çmuar të Ushtrisë amerikane dhe ushtrive të tjera aleate për paqen dhe stabilitetin. Marrëdhëniet tona me SHBA-të janë ekzistenciale dhe nuk do të ndalemi në angazhimin për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve strategjike në mes të Republikës se Kosovës me Shtetet e Bashkuara te Amerikës”, ka thënë Osmani.

Ndërkaq ushtarakët amerikanë falënderuan presidenten Osmani për nderimin, “duke shfaqur shpresën që paqja dhe stabilitetit të jenë afatgjate në Kosovë, njësoj sikurse edhe raportet me SHBA-të”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat