​IPK nënshkruan deklaratën për themelimin e forumit rajonal të mbikëqyrjes së Policisë

Aktuale

​IPK nënshkruan deklaratën për themelimin e forumit rajonal të mbikëqyrjes së Policisë

Më: 3 korrik 2023 Në ora: 12:56
Foto nga vendi i ngjarjes

Inspektorati Policor i Kosovës ka shënuar 17-vjetorin e themelimit, ku u theksua rëndësia e aplikimit të principeve ligjore për proces demokratik në hetimin e ankesave të qytetarëve. Institucioni i mbikëqyrjes së Policisë ka nënshkruar edhe deklaratën për themelimin e forumit rajonal të mbikëqyrjes së Policisë së Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi. Aty u bë e ditur se forumi do të jetë organizim i përbashkët dhe do të udhëhiqet me rotacion.

Kryeshefi ekzekutiv i IKP-së, Kushtrim Hodaj ka thënë se qytetarët çdo ditë e më tepër po i besojnë këtij institucioni, duke adresuar ankesat e tyre.

Ai tha se rreth dy dekada më parë, Kosova e ndihmuar nga ndërkombëtarët ka themeluar IPK, duke zgjedhur modelin më demokratik dhe të avancuar të kontrollit të mbikëqyrjes policore.

Hodaj: Jemi adresë e qartë në të cilën qytetarët besojnë çdo ditë e më shumë

"Sot bëhen 17 vjet nga fillimi i një rrugëtimi të vështirë, sfidues por të rëndësishëm në konsolidimin e një prej institucioneve më të rëndësishme të zbatimit të ligjit në Kosovë. Filluam si organizatë e vogël, me kompetenca të ekzekutuara, kurse sot jemi më shumë, më të strukturuar dhe më profesional. Por, më e rëndësishme është tashmë se jemi një adresë e qartë në të cilën qytetarët besojnë çdo ditë e më shumë për të adresuar ankesat, shqetësimet e tyre në rastet kur të drejtat dhe liritë e tyre cenohen nga zyrtarët policorë... Viteve të fundit përmes angazhimit të shtuar dhe profesional të të gjithë punonjësve të IPK-së, IPK ka shënuar suksese mbresëlënëse në të gjitha fushat e funksionit të saj. Duke trajtuar me efikasitet çdo ankesë dhe informacion, duke realizuar inspektime të rregullta dhe jashtëzakonshme përmes të cilave të cilave evidentojmë të gjetura”, ka thënë Hodaj.

Hodaj përmendi edhe aksionin në tri pikat kufitare, ku tha se kanë dëshmuar luftimin e korrupsionit brenda Policisë së Kosovës.

Kryeshefi i Inspektoratit Policor tha se themelimi i forumit rajonal të mbikëqyrjes policore ka rol të rëndësishëm në shkëmbim të informacioneve.

Hodaj: Forumi do të jetë mekanizëm në shkëmbim të informacioneve

Ky forum do të jetë një mekanizëm dhe platformë e rëndësishme në shkëmbim të informacioneve, praktikave të mira, trajnimeve të përbashkëta por edhe aktiviteteve të përbashkëta inspektuese dhe hetuese. Nga sot do të fillojmë me punën e hartimit të statutit të logos, ueb-faqes dhe planifikimin e aktiviteteve të përbashkëta. Forumi do të jetë organizim i përbashkët dhe do të udhëhiqet me rotacion dhe do të mbetet i hapur për anëtarësim edhe për agjenci të shteteve të tjera të rajonit dhe më gjerë”, shtoi Hodaj.

Shefja e kabinetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Jeta Tela Shema theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me këtë institucion, për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Tela-Shema: Roli i IPK-së për shoqëri demokratike është tejet i rëndësishëm

"IPK në programin qeverisës dhe vizionin e Ministrisë së Punëve të Brendshme zë një vend të jashtëzakonshëm. Prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të luftuar krimin dhe korrupsionin dhe çdo ilegalitet tjetër, janë vështirë të arritshme pa një polici me integritet dhe pa një polici demokratike. Roli i IPK-së në përpjekjet tona të përbashkëta për shoqëri demokratike dhe institucione demokratike dhe profesionale është tejet i rëndësishëm. Gjithë këto vite, fatmirësisht falë edhe mbështetjes së pakursyer të bashkëpunëtorëve tanë, IPK është angazhuar pandalshëm në arritjen e misionit të saj që të sigurojë shërbim policor të përgjegjshëm, me integritet dhe me profesionalizëm të lartë karshi qytetarëve tanë”, theksoi shefja e kabinetit.

Në anën tjetër, edhe Kimberly Riffe, atashe e Departamentit të Drejtësisë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u shpreh se viti i kaluar ka qenë sfidues, por ka pasur edhe arritje.

Riffe-IPK-së: Ju duhet të aplikoni principet ligjore, duke siguruar proces demokratik

Nevoja për IPK-në që të sigurojë që veprimet policore janë të ligjshme dhe në përputhshmëri me rregulloret e brendshme, kjo është një detyrë shumë e rëndësishme të cilën ju jeni dedikuar dhe e bëni çdo ditë. Ju lutem vazhdoni të jeni një agjenci, ku njerëzit, qytetarët mund të bëjnë ankesa duke ditur se ju do të aplikoni principet ligjore, duke siguruar një proces demokratik në hetimin dhe zbulimin e të vërtetës dhe fakteve në mënyrë transparente. Qytetarët e Kosovës duhet të presin dhe kërkojnë një agjencion të mbikëqyrjes së policisë, që të jetë i trajnuar dhe në hetime dhe inspektime dhe të aplikojnë njohuritë më të mira”, u shpreh ajo.

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me IPK-në për një polici me integritet dhe profesionalizëm.

Kelmendi: Ndajmë me ju të gjitha sfidat dhe problemet gjatë operacioneve të përbashkëta

“Për ne është kënaqësi kur Inspektorati Policor i Kosovës ka suksese në punën e vet, për shkak se ne si prokurorë jemi pjesë e këtyre sukseseve. Ndajmë me ju të gjitha sfidat dhe problemet gjatë operacioneve të përbashkëta për të hetuar sa më drejtë dhe në përputhje me ligjin dhe kushtetutën çdo veprim që marrin ndaj zyrtarëve policor, duke menduar se gjithmonë zyrtarët policorë duhet të punojnë me profesionalizëm dhe me integritet”, deklaroi ai.

Në raportin e vitit të kaluar të IPK-së thuhet se janë pranuar mbi 1690 ankesa, ku 34 për qind prej tyre janë orientuar për hetim penal të Departamentin e Hetimit. Po ashtu, janë arrestuar 108 punonjës dhe qytetarë nën dyshimin për përfshirje në krim dhe është rekomanduar suspendimi i 164 punonjësve policorë. /

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat