Përfundoi restaurimi i tri kishave ortodokse, Kurti: Do të angazhohem për të gjithë qytetarët pa dallim

Aktuale

Përfundoi restaurimi i tri kishave ortodokse, Kurti: Do të angazhohem për të gjithë qytetarët pa dallim

Më: 3 korrik 2023 Në ora: 21:25
Hajrullah Çeku

Kryeministri Kurti ka thënë se partneriteti i vendit me Bashkimin Evropian dhe UNDP në Kosovë është me “rezultate të prekshme” në fushën e trashëgimisë kulturore dhe fetare.

Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se në kuadër të programit të përbashkët mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), BE dhe UNDP, kanë përfunduar ndërhyrjet restauruese në tri kisha dhe manastire ortodokse, të cilat i ka cilësuar si asete të Kishës Ortodokse Serbe që mbrohen me ligjet e Republikës së Kosovës.

Mes tjerash Kurti ka shtuar se Manastiri i Qelisë (Burgut) dhe Kisha e Dëftimit të Shën Mërisë në Kamenicë dhe Manastiri i Dragancës në Novobërdë, pas ndërhyrjeve që janë financuar nga BE-ja, do të vazhdojnë t’u shërbejnë besimtarëve ortodoksë, komunitetit të gjerë dhe turistëve.

“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës do të vazhdoj të angazhohem për të gjithë qytetarët tanë pa dallim e diskriminim. Harmonia ndërmjet komuniteteve etnike e fetare, si vlerë dalluese e shoqërisë sonë, është zotim dhe përkushtim i përhershëm i qeverisë sonë. Trashëgimia kulturore është ndër mjetet më efektive për afrim e bashkëpunim mes popujve. Prandaj, investimet tona në mbrojtjen dhe funksionalizimin e monumenteve do të jenë të vazhdueshme”, ka shkruar tutje ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat