Lajçak deklarohet pas takimit të gjatë me Kurtin, jep sinjale pozitive - ja çka biseduan

Aktuale

Lajçak deklarohet pas takimit të gjatë me Kurtin, jep sinjale pozitive - ja çka biseduan

Më: 4 korrik 2023 Në ora: 15:38 Përditësuar në ora: 19:20 më 04.07.2023
Emisari special i BE-së, Miroslav Lajçak dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

​Lajçak pas takimit me Kurtin: Ka mirëkuptim për de-përshkallëzimin dhe zgjedhjet e parakohshme

Rreth tri orë ka zgjatur takimi i emisarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe kryeministrit Albin Kurti. I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, tha se ky takim ishte i gjatë, i hapur dhe shumë i rëndësishëm.

Ai shtoi se ka një mirëkuptim për nevojën për të ecur përpara në tre pikat që janë paraqitur, për depërshkallëzimin e situatës, zgjedhjet e parakohshme dhe kthimin në normalizimin. Po ashtu, shtoi se ka sanksione të gatshme edhe për Serbinë, por që të njëjtat implementohen nëse vendet anëtarë vendosin.

Pas takimit, Lajçak deklaroi se do të vazhdojnë me diskutimin, me qëllim të deeskalimit të situatës.

Lajçak: Ka mirëkuptim për de-përshkallëzimin, zgjedhjet e parakohshme dhe kthimin në normalizim

"Sot pata takime të rëndësishme me presidenten Osmani dhe zotin Kurti. Një takim i gjatë, i sinqertë, i hapur do të thosha shumë i rëndësishëm dhe tani më duhet të zgjedh fjalët e mia, por ajo që dua të them është se ka një mirëkuptim për nevojën për të ecur përpara në tre pikat që janë paraqitur, të cilat janë de-përshkallëzimi, zgjedhjet e parakohshme dhe kthimi në normalizim. Ne do të duhet të vazhdojmë diskutimet tona për hapat konkretë që do të na çojnë atje", deklaroi ai.

Lajçak shtoi se edhe kryeministri Albin Kurti ka prezantuar propozimet e tij.

Lajçak: Takimi ndihmon për të kuptuar më mirë pozicionet e njëri-tjetrit

"Ai paraqiti pikëpamjet e tij, unë i paraqita idetë e mia, propozimin tim, prandaj takimi ishte i gjatë, por ishte shumë i rëndësishëm. Do të ndihmojë për të kuptuar më mirë pozicionet e njëri-tjetrit dhe ne jemi dakord që procesi të vazhdojë", shtoi ai.

Bashkimi Evropian nuk është i lumtur, siç tha Lajçak, për vendosjen e sanksioneve ndaj Kosovës.

Lajçak: Qëllimi i diskutimeve është që të arrijmë në një fazë që masat të ndalen

"Kjo nuk është për mua që të komentoj, nuk është pjesë e përgjegjësisë time. Qartazi BE-ja nuk është e lumtur që është në pozitë të prezantoj masa të caktuara dhe qëllimi i këtij misioni dhe këtyre diskutimeve është që të arrijmë në një fazë që masat do të ndalen dhe ne do të kthehemi në marrëdhënien e mëparshme", deklaroi Lajçak.

Pas takimit me Kurtin, emisari i BE-së për dialogun u shpreh se ka sanksione të gatshme edhe për Serbinë.

Lajçak: Sanksionet për Serbinë do të zbatohen nëse vendosin vendet anëtare

"BE e ka bërë të qartë se ka sanksione të gatshme. Po ashtu për Serbinë dhe do të zbatohen nëse vendet anëtare vendosin se ajo nuk po vepron në përputhje me kërkesat e BE-së. Ky është vendim i shteteve anëtare. Do të jem nesër në Beograd. Dëshira ime nuk është që të ketë masa për Kosovën dhe Serbia. Dëshira ime është që të mos ketë masa por që t'i kemi të dyja palët në takim në Bruksel se si do ti zbatojnë marrëveshjet e shkurtit", ka përfunduar Lajçak.

Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak është takuar edhe me presidenten, Vjosa Osmani.

Lajçak: Sanksionet për Serbinë janë gati, do të zbatohen nëse s’vepron sipas kërkesave të BE-së

Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se sanksionet për Serbinë janë të gatshme.

Ai tha se sanksionet do të zbatohet në rast se Serbia s’vepron konform kërkesave të BE-së.

“BE-ja e ka bërë të qartë se ka sanksione të gatshme edhe për Serbinë, do të zbatohen nëse kuptohet se Serbia nuk vepron me kërkesat e BE-së. Është vendim i shteteve anëtare”, tha Lajçak.

Tutje, ai tha se Bashkimi Evropian nuk është i lumtur për të paraqitur masa, dhe se sipas tij, diskutimi aktual është që të arrihet në fazën ku masat do të ndaleshin.

“Dëshira ime nuk është të kemi sanksione mbi Kosovën dhe Serbinë. Dëshira ime është që të mos kemi sanksione dhe të kemi takime me të dyja palët në Bruksel dhe të diskutojmë se si t’i implementohen marrëveshjet”, tha Lajçak

Lajçak: Kurti paraqiti pikëpamjet e tij për shtensionim, unë dhashë idetë e mija

Miroslav Lajçak, emisar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë Serbi, ka thënë se takimi me kryeministrin, Albin Kurti, ka qenë i gjatë, i hapur dhe i sinqertë.

Më tutje, Lajçak ka thënë se Kurti i paraqiti pikëpamjet e tij për shtensionim, ndërkaq ai të vetat.

“Nuk është detyrë e lehtë, as situatë e lehtë. Kam pasur takime të rëndësishme me presidenten Osmani e kryeministrin Kurti. Diskutim të gjatë e sinqertë. Shumë të rëndësishëm. Duhet të zgjedh fjalët, ka mirëkuptim në nevojën për të ecur para në tri pikat që janë paraqitur nga BE-ja: shtensionim, zgjedhje të reja, dhe kthim në normalizim”, ka deklaruar ai.

“Ne do të vazhdojmë diskutimet tona për hapat konkretë që do të na çojnë atje. Ai [Kurti] paraqiti pikëpamjen e tij, ndërsa unë prezantova idetë e mija dhe kjo është arsyeja se pse zgjati takimi, ka thënë Lajçak.

“Por, ishte i rëndësishëm për të na ndihmuar që t’i kuptojmë qëndrimet e njëri-tjetrit më mirë dhe u pajtuam që procesi duhet të vazhdojë”, ka deklaruar emisari evropian.

Presidenca me detaje për takimin Osmani - Lajçak

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim përfaqësuesin special të BE-së për Dialog, Miroslav Lajčák.

Gjatë takimit u diskutua mbi sfidat aktuale politike dhe të sigurisë me theks të veçantë në veriun e vendit, përpjekjet për deeskalimin e situatës, sikurse edhe nevojën për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t`i tejkalojnë sfidat aktuale dhe se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.

Në kontekst të zhvillimeve të fundit në veriun e vendit, Presidentja Osmani ka theksuar se grupet kriminale dhe individët që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, duhet të përballen me drejtësinë.

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e palëkundur në synimin e saj për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon.

Lajçak përfundon takimin me Osmanin, niset drejt Qeverisë për takimin me Kurtin

Lajçak përfundon takimin me Osmanin, niset drejt Qeverisë për takimin me Kurtin

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka përfunduar takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Nga Presidenca ai është nisur drejt Kryeministrisë ku e pret kreu i ekzekutivit, Albin Kurti.

Lajçak sot erdhi në Prishtinë, ndërkaq do të shkojë edhe në Beograd.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se kjo vizitë është për depërshkallëzimin e situatës dhe për kthim në procesin e dialogut. Ai tha se këtë ia kërkoi Përfaqësuesi i Lartë Borrell për t’i çuar përpara çështjet dhe “për të gjetur përfundimisht rrugën për deeskalim”.

Lajçak arrin në Presidencë, nis takimin me Osmanin

Ka nisur takimi mes emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak dhe presidentes Osmani.

Gazetari i T7, Selamir Qerimi, raporton se takimi mes tyre ka nisur në orën 15:00.

Për këtë takim kishte njoftuar edhe Zyra e Presidencës.

Pas Osmanit, Lajçak do të takohet edhe me kryeministrin Kurti në orën 16:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat