Spahiu: Bill Clinton, miku më i madh që njeh historia e Kosovës

Aktuale

Spahiu: Bill Clinton, miku më i madh që njeh historia e Kosovës

Më: 4 korrik 2023 Në ora: 22:07
Avni Spahiu

Miku më i madh që e ka njohur historia e Kosovës. Kështu po vlerësohet ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton nga ambasadori i parë i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu.

Duke folur për vizitën e ish-presidentit amerikan në Tiranë, ish-ambasadori Spahiu në “RTK Prime” ka thënë se kjo vizitë ishte një ngjarje e madhe për shqiptarët në përgjithësi.

“Ishte diçka që e ka organizuar shteti shqiptar e që mendoj se ka dëshmuar pikërisht atë që shqiptarët paraqesin. Mosmirënjohja nuk është veti e shqiptarit. Me këtë u dëshmua se jemi mirënjohës për të gjitha çfarë ai ka bërë. Ai ishte në Shqipëri, por aty ishte e pranishme edhe Kosova, ishin Bill Klintonët e Kosovës, ishin të gjithë ata që shprehën falënderimin për atë që ka bërë presidenti Clinton. Pikërisht ky njeri ka qenë miku më i madh që ka njohur ndonjëherë historia e Kosovës. Prandaj, meriton  çdo respekt e çdo nderim”, ka theksuar Spahiu.

Ai ka rikujtuar vitin 2019 kur në Kosovë presidentit Clinton i është dhënë “Medalja e Lirisë”, e që është dekorata më e lartë në vendin tonë. “..dhe tani edhe shteti shqiptar ka ndërmarrë një hap të tillë dhe tani ky nderim është i plotë në të dy anët e kombit shqiptar. Ishte vërtetë emocionuese dhe kjo vjen pikërisht në një kohë kur momentumi është i rëndësishëm edhe për raportet, por edhe për faktin që sivjet bëhen 15 vjet të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve”, ka shtuar Spahiu, transmeton RTKlive.

Ai tutje ka thënë se 15-vjetori i marrëdhënieve diplomatike është një lloj jubileu dhe është mirë që kjo të shënohet në mënyrën sa më dinjitoze.

Mendoj se si Kosovë kemi mundur të bëjmë di çka më shumë me këtë datë, që të dëshmojmë përkundër disa zhvillimeve se ne qëndrojmë paluhatshëm me miqësinë e SHBA-së. Po shpresoj që së shpejti do ta konfirmojmë këtë edhe në këtë kohë”, ka shtuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat