“Sanksionet për Serbinë janë gati, nuk jemi të lumtur për masat ndaj Kosovës” – gjithçka nga deklaratat e djeshme të Lajçakut në Prishtinë

Aktuale

“Sanksionet për Serbinë janë gati, nuk jemi të lumtur për masat ndaj Kosovës” – gjithçka nga deklaratat e djeshme të Lajçakut në Prishtinë

Më: 5 korrik 2023 Në ora: 07:34
Mirosllav Lajçak

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, të martën ka qëndruar në Kosovë, në përpjekje për të ulur tensionet në veri të vendit.]

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Lajçak pati takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, Lajçak tha se ka mirëkuptim për të çuar përpara kërkesat e BE-së, por se “ende duhet të vazhdojnë diskutimet me hapa konkretë”.

Sot pata takime të rëndësishme me presidenten Osmani dhe zotin Kurti. Një takim i gjatë, i sinqertë, i hapur do të thosha shumë i rëndësishëm dhe tani më duhet të zgjedh fjalët e mia, por ajo që dua të them është se ka një mirëkuptim për nevojën për të ecur përpara në tre pikat që janë paraqitur, të cilat janë de-përshkallëzimi, zgjedhjet e parakohshme dhe kthimi në normalizim. Ne do të duhet të vazhdojmë diskutimet tona për hapat konkretë që do të na çojnë atje”, deklaroi ai.

Para gazetarëve në Prishtinë, Lajçak nuk ka dashur të komentojë masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian i ka vendosur ndaj Kosovës, por bëri të ditur se BE-ja i ka gati sanksionet edhe për Serbinë.

“BE-ja e ka bërë të qartë se i ka sanksionet gati për Serbinë dhe ato do të implementohen nëse vendet anëtare vendosin që Serbia nuk i bindet BE-së. Ky është vendim i shteteve anëtare. Nesër do të jem në Beograd. Dëshira ime është që mos të ketë sanksione për Kosovën dhe Serbinë, por që t’i kemi të dyja palët duke u takuar në Bruksel dhe të negociojnë se si të implementohet marrëveshja e muajit shkurt Marrëveshja e Ohrit”, tha Lajçak.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti në takim me emisarin e BE-së, ka potencuar që masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta dhe e bëjnë dialogun asimetrik.

Ai shprehu përkushtimin dhe angazhimin e tij për de-eskalim dhe normalizim.

Theksoi që Qeveria e Kosovës nuk kontribuon assesi në eskalim dhe se Policia e Kosovës vetëm zbaton ligjin e kujdeset për sigurinë publike.

Në lidhje me rrugën përpara, Kryeministri Kurti tha që neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale e tregon qartë rrugën për zgjedhje të parakohshme nëpër komuna dhe se Qeveria në përpikmëri mbështetë procedurat ligjore.

Ndërkaq, sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, garanci është zbatimi i plotë dhe pa kushte i Marrëveshjes Bazike e cila sjellë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe evropiane për dy shtetet.

Edhe presidentja Vjosa Osmani në takim me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajçak, ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t`i tejkalojnë sfidat aktuale dhe se Kosova ka demonstruar vullnet për de-eskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.

Osmani ka theksuar se grupet kriminale dhe individët që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, duhet të përballen me drejtësinë.

BE-ja vazhdimisht ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin hapa për shtensionimin e menjëhershëm të tensioneve dhe të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve, që ndërmjetëson Brukseli.

Blloku evropian i ka paraqitur disa kërkesa Kosovës sa i përket situatës në veri. Brukseli po kërkon tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave komunale në veri, paralelisht me tërheqjen e protestuesve serbë. Po ashtu, BE-ja po kërkon tërheqjen e kryetarëve të rinj nga ndërtesat komunale, shpalljen e zgjedhjeve në veri dhe zotimin publik të serbëve se do të marrin pjesë në votime.

Për shkak të mos përmbushjes së këtyre kërkesave, BE-ja ka nisur së zbatuari disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat