Këshilli i Prindërve kërkon pezullimin e testeve të arritshmërisë dhe të maturës

Aktuale

Këshilli i Prindërve kërkon pezullimin e testeve të arritshmërisë dhe të maturës

Më: 5 korrik 2023 Në ora: 08:24
Foto nga testi i matures

Këshilli i Prindërve i Kosovës ka shprehur indinjatë ndaj mbajtjes së Testit të Arritshmërisë, duke e quajtur të “keqprojektuar, keqmenaxhuar dhe ku kopjimi është sinonimi për të”.

Këshilli ka thënë se Testi i Arritshmërisë dhe i maturës duhet të pezullohen dhe ka paralajmëruar se vitin e ardhshëm do të ketë organizim për bojkotimin e tyre.

“Ndërsa i gjithë sistemi arsimor i Kosovës e çoi dëm edhe një vit për t’i shërbyer mbi 300 mijë fëmijëve, testi i maturës dhe arritshmërisë vazhdojnë bindshëm të jenë aktet më të kota, më të pavlera e më të dëmshme për fëmijët tanë. Ato teste janë shembuj konkret se si nuk duhen bërë projekte të tilla. Janë dëshmia e vendimeve dhe veprimeve pa përdorur rezonin e arsyes shkak-pasojë. Janë ‘paushalli’ i politikbërjes për arsimin që po vazhdon në Kosovë”, thuhet në reagimin e këshillit.

Tutje ka shprehur indinjatë edhe ndaj sistemit arsimor, për të cilin Këshilli i Prindërve ka thënë se po rrënon shpresën e prindërve për të rritur fëmijët në vendin e vet.

“Ky sistem arsimor është edhe i skaduar e edhe i dëmshëm (në tërësinë e tij)! Duhet një plan kombëtar, me pajtim të të gjitha palëve, për ta ringjallur, përditësuar dhe reformuar në palcë sistemin arsimor parauniversitar në Kosovë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat