Rama në turne ballkanik, Kurti i kërkon mbledhjen e dy qeverive

Aktuale

Rama në turne ballkanik, Kurti i kërkon mbledhjen e dy qeverive

Më: 5 korrik 2023 Në ora: 15:06
Kryeministrat e Kosovës dhe Shqipërisë, Albin Kurti dhe Edi Rama, në parakalimin e tyre para fillimi të mbledhjes së dy qeverive e cila ishte organizuar në Prishtinë më 20 qershor të vitit 2020.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nis nesër një turne dyditor nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai ka deklaruar se do të zhvillojë takime me kryeministra dhe presidentë në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje Hercegovinë.

Pasi deklaroi mbylljen e iniciativës rajonale "Ballkani i Hapur", kreu i qeverisë shqiptare ka thënë se gjatë këtij turneu do të informojë krerët e shteteve ballkanike për përgatitjet që po bën Shqipëria për të pritur samitin e Procesit të Berlinit.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të mërkurën se është i gatshëm të takohet me Ramën vetëm në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, duke thënë se për të është e arsyeshme “një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, por jo edhe takime të tjera”.

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive ishte anuluar nga Rama një ditë para se të zhvillohej. Ajo ishte planifikuar të mbahej më 14 qershor në Gjakovë.

Për shkak të tensioneve në veri të Kosovës, Rama kishte thënë se mbledhja nuk mund të mbahet në formatin e paraparë dhe se "nuk është momenti për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot".

Kurti, të mërkurën tha se i ka propozuar Ramës një mbledhje të përbashkët të të dy qeverive, dhe me atë rast të nënshkruhen marrëveshjet “që janë të dakorduara që janë në sirtarë dhe në këtë mënyrë t’i zbatojmë një orë e më parë të gjitha ato”.

“Për mua është e nevojshme që ta kemi mbledhjen e dy qeverive. Nëse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, insiston në anulimin e mbledhjes së dy qeverive, atëherë unë ngelem te qëndrimi që ia kam thënë për takime të ne të dyve. Ne kemi kontakt të drejtpërdrejtë, ne takohemi shumë shpesh, nëse shikoni gjatë këtyre më shumë dy vjetëve sa jemi në qeverisje, i kam një duzinë takimesh me kryeministrin Rama. Nuk lëngon raporti Kosovë-Shqipëri, por edhe demokracia e paqja në Ballkan pse nuk takohen, kryeministri i Kosovës me atë të Shqipërisë, por për shkak se mbledhjet e dy qeverive tona janë anuluar paarsyeshëm”, tha kryeministri i Kosovës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk pranoi të komentonte deklaratat e homologut të tij kosovar.

"Do të flas kur të jetë koha për të folur, që është nesër [më 6 korrik] në Prishtinë", tha Rama gjatë një deklarate për media, ku doli të komunikonte vendimet e mbledhjes së qeverisë.

Rama la pa përgjigje edhe pyetjet e gazetarëve për përfundimin e "Ballkanit të Hapur" dhe ndërpreu komunikimin e tij me mediat, duke u larguar dhe duke ua lënë fjalën ministrave të kabinetit qeveritar.

Nisma, që fillimisht u quajt Mini-Shengen, nisi më 10 tetor 2019, në Novi Sad të Serbisë, dhe u firmos nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Më 29 korrik 2021, nisma mori emrin Ballkani i Hapur.

Kjo iniciativë u kundërshtua nga opozita në Shqipëri dhe u refuzua nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.

Më 1 korrik kryeministri Edi Rama deklaroi përfundimin e kësaj nisme.

Ai tha se kjo nismë lindi për të çuar përpara Procesin e Berlinit, dhe, sipas tij, ky mision është kryer.

Lidhur me këtë deklaratë të Ramës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se "nuk mund të besojë se ai [Rama] ka thënë një gjë të tillë".

Ndërkaq, në Maqedoninë e Veriut nuk ka pasur reagime për këtë deklaratë të Ramës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë më herët se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.

Shqipëria pret këtë vit për herë të parë një samit të Procesit të Berlinit, ku do të marrin pjesë liderë të Bashkimit Evropian.

Nisma u promovua 9 vjet më parë nga kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat