Rama: Anulimi mbledhjes së dy qeverive nuk është thikë pas shpine

Aktuale

Rama: Anulimi mbledhjes së dy qeverive nuk është thikë pas shpine

Më: 6 korrik 2023 Në ora: 22:05
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se ende s’ka asnjë përgjigje zyrtare nga Qeveria e Kosovës se a do të mbahet takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti apo jo.

Kryeministri Rama në Rubikon të Klan Kosovës tha se edhe në momentet sa po jepet intervista, kabineti i Qeverisë së Kosovës nuk i është përgjigjur kabinetit të Qeverisë së Shqipërisë.

“Por mua më shqetëson fakti që edhe tani që flasim, ne ende s’e kemi marrë një përgjigje zyrtare e serioze nga një shtet serioz që ia kërkon zyrtarisht dhe të përgjigjet zyrtarisht”.

Derisa shtoi se nuk qëndron se mos mbajtja e mbledhjeve së dy qeverive ishte thikë pas shpine për Kosovën.

“Çfarë thike është që një mbledhje mes dy qeverish për marrëveshje të dakorduara të mbahet kur ka gjëra të tjera më të rëndësishme. Pra, është e kundërta e thikës”, theksoi ai.

Ai më tej foli edhe për Kanunin, ku e përdori si shprehje gjatë një interviste në Maqedoni të Veriut sot gjatë ditës.

“Edhe ajo e Kanunit nuk është pa vlerë, sepse është bazë e traditës tonë. Ne krenohemi gjithandej që “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Dhe kur thuhet “miku”, nuk thuhet vetëm miku që ti fton, por ai që troket në derë, të cilin ti mund mos ta njohësh ose edhe hasmi yt”, tha ai.

Kurse, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Rama e quajti si “djalë simpatik shumë”, por sipas tij, ai “s’ka lidhje fare me këto tema”.

“Unë e kuptoj që do të thotë fjala “më ka ngelur hatri”, më ka ngelur hatri për mbledhjen e dy qeverive që u anulua, dhe tash si do ia bëjmë. Do ta lëmë Kosovën pa asnjë zë në raportin që do të bëjmë për kancelarinë në këto vizita dyditore?”, theksoi Rama.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Rama u takua edhe me presidenten Vjosa Osmani, dhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Ndërkaq, ende nuk është konfirmuar takimi me kryeministrin Albin Kurti.

Rama po qëndron në Kosovë, në kuadër të një takimi dyditor ballkanik, që synon të informojë shtetet e rajonit për përgatitjet që po bën Shqipëria për të pritur samitin e Procesit të Berlinit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat