Disa mërgimtarë vizitojnë ish krerët e UÇK-së, thonë se janë më të fortë se kurrë

Aktuale

Disa mërgimtarë vizitojnë ish krerët e UÇK-së, thonë se janë më të fortë se kurrë

Më: 8 korrik 2023 Në ora: 15:19
Foto nga vizita

Një grup mërgimtarësh sot kanë vizituar ish krerët e UÇK-së, të cilët janë në paraburgim në Hagë të Holandës, si dhe Hysni Gucatin e Nasim Haradinaj nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së të cilët janë dënuar po nga kjo gjykatë, për publikimin e dosjeve që kishin rrjedhur nga Gjykata Speciale.

Njëri nga vizitorët ishte edhe vëllai i Hysni Gucatit, Fehmi Gucati i cili tha se të gjithë në Hagë janë mirë me shëndet.

Ai theksoi se ata janë shumë të fortë si dhe besojnë në pafajësinë e tyre.

“Po takuam thuajse të gjithë. Si çdoherë ata janë shumë të fortë dhe ndihen mirë me shëndet… ndihen krenar për periudhën e Luftës së tyre për Çlirimin e Kosovës”, ka thënë Gucati.

Ndryshe, ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

Ndërkaq, aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020. Në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat