Paralajmërimet për vetëvrasje në rrjetet sociale, psikoterapeuti: Këto raste janë alarmante

Aktuale

Paralajmërimet për vetëvrasje në rrjetet sociale, psikoterapeuti: Këto raste janë alarmante

Më: 9 korrik 2023 Në ora: 10:49
Foto ilustrim

Përveç pjesës argëtuese, përdorimi i pa kontrolluar i  rrjeteve sociale ka filluar të kthehet në një problematik në shoqërinë tonë.

Paralajmërime për vetëvrasje, shfaqje agresive, kërcënime më fotografi intime, gjuajtje me armë zjarri, janë vetëm disa prej rasteve që deri më tani ka reaguar Polica e Kosovës për zgjidhjen e tyre.

Rrjetet sociale që tashmë edhe të miturit lehtësisht mund të kenë qasje në to, po ndikojnë negativisht të shumë persona.

Së fundmi, Policia informoi edhe për një rast ku një person kishte paralajmëruar vetëvrasje në rrjetin social “TikTok”, dhe që pas informacioneve  që kishte pranuar kishte ndërhyrë.

Lidhur me ndikimin dhe përdorimin e rrjeteve sociale për Telegrafin ka folur psikoterapeuti Yll Avdijaj.

Ai vlerësoi se përveç gjërave pozitive, në rrjetet sociale tashmë kanë marrë hapësirë të madhe edhe dukuritë negative.

“Nisur nga fakti se rrjetet sociale sot janë shumë të përhapura në mesin tonë, kjo në mënyrë direkte po i jep mundësinë secilit individ që të ketë qasje në to dhe të plasojë informacione, foto, video etj e që lidhen jetën e tyre personale. Përveç gjërave pozitive dhe të vlefshme që mund të ndahen nëpër rrjete sociale, njëkohësisht një hapësire shumë të madhe kanë marrë edhe dukurit negative”, u shpreh ai.

Avdijaj shtoi më tej se “Çdo ditë shohim nga gjërat më të ndryshme që shpesh herë përmbajnë shprehje eksplicite, promovim të dhunës, shantazhit dhe kërcënimeve të ndryshme që bëhen pa asnjë lloj censure”.

“Ky negativitet i shprehur po bëhet si njëfarë lloj modeli që po pasohet, e sidomos nga gjeneratat e reja”, tha mes tjerash ai.

Sa i përket rastit të fundit (kërcënimit të një qytetari për vetëvrasje), ku ndërhyri Policia e Kosovës, Avdijaj tha se rastet e tilla dalin në pah nga persona që po kalojnë periudha të vështira jetësore.

“Ditëve të fundit është evidentuar një rast specifik nga organet e rendit, ku një person poston një video në rrjete sociale, ku bënë kërcënim se do të kryej vetëvrasje! Rastet e këtilla, zakonisht mund të dalin në pah nga persona të cilët po kalojnë periudha të vështira jetësore e sidomos në momentet me kriza psiko-emocionale, probleme psikike apo ndonjë çrregullim personaliteti”, deklaroi ai.

Megjithatë, ai u shpreh se për të folur për profilet e këtyre personave, sigurisht se kërkohet një njohje më konkrete dhe një vlerësim psikologjik më specifik, në mënyrë që të dihen saktë motivet, shkaqet dhe arsyet se cfarë e shtyen një përson të tillë që të kryej vetëvrasje.

“Këto raste, përveç që janë alarmante, po aq janë edhe shumë serioze me ç’rast kërkohet intervenimi organeve të rendit dhe sigurisë në mënyrë që të parandalohet kryerja e veprimeve të tilla”, potencoi ai.

Në fund, Avdijaj tha se edhe familjarët duhet të jenë vigjilent ndaj këtyre personave.

“Njëkohësisht, kërkohet edhe nga familjarët dhe shoqëria e këtyre personave që të jenë më vigjilent dhe të kujdesshëm ndaj tyre, që t’i mbështesin dhe t’i orientojnë drejt kërkimit dhe marrjes së ndonjë ndihme profesionale nga punonjësit e shëndetit mendor”, theksoi ai.

Ndryshe, ditë më parë, Policia e Kosovës njoftoi zyrtarisht se ka pranuar informatë nga një zyrtare e kompanisë TikTok (dega në Irlandë), se një qytetar i Kosovës përmes postimeve të tij ka folur për vetëvrasje, dhe se për këtë ka ndërhyrë.

Rreth orës 15:00, është lokalizuar dhe identifikuar personi (përdoruesi i IP-adresës), fillimisht është kontaktuar me prindin, djali i të cilit dyshohet se ka postuar në TikTok nga telefoni postime me përmbajtje të ngjashme rreth vetëvrasjes.

Zyrtarë policorë nga Drejtoria për Hetime të Krimeve Kibernetike së bashku me njësi tjera policore, e kanë trajtuar rastin, është njoftuar prokurori si dhe Qendra për Punë Sociale.

Gjithashtu, të shumta kanë qenë edhe rastet e kërcënimeve me fotografi intime dhe publikimin e tyre në rrjetet sociale. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat