KFOR-i konfirmon se ushtarit të lënduar në Zveçan i është amputuar këmba

Aktuale

KFOR-i konfirmon se ushtarit të lënduar në Zveçan i është amputuar këmba

Më: 10 korrik 2023 Në ora: 19:30
Foto ilustrim

Një ushtari hungarez, që shërbeu në forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, KFOR, i është amputuar këmba pas lëndimeve që ka marrë në përleshjet me protestuesit serbë në veri të Kosovës.

Më 29 maj, gjatë protestave të vazhdueshme të serbëve në komunat veriore, ishin sulmuar dhe kishin pësuar lëndime 30 ushtarë të KFOR-it.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, KFOR-i ka konfirmuar se ushtarit hungarez i është amputuar këmba, duke shtuar se të gjithë ushtarët e lënduar “janë kthyer në shtëpitë e tyre”.

Përveç 19 ushtarëve hungarezë, atë ditë në komunën e Zveçanit, ishin lënduar edhe 11 ushtarë italianë.

Tre nga ushtarë të Hungarisë ishin plagosur me armë zjarri.

Serbët në katër komunat veriore të Kosovës janë duke protestuar që nga 26 maji, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri.

Pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, NATO ka angazhuar 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë të dislokuar në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat