​Masakra e Srebrenicës, Kurti: Fqinjësia e mirë ndodh vetëm kur palët distancohen prej krimeve

Aktuale

​Masakra e Srebrenicës, Kurti: Fqinjësia e mirë ndodh vetëm kur palët distancohen prej krimeve

Më: 10 korrik 2023 Në ora: 21:53
Kryeministri Albin Kurti

Në prag të 28-vjetorit të Masakrës së Srebrenicës, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se ajo i kujton ideologjinë çetnike që Serbia e përdori edhe në Kosovë, për çka apeloi për ndëshkim të kriminelëve. Duke përmendur deklaratat e presidentit serb se gjoja Kosova është kundër dialogut, Kurti tha se fqinjësia e mirë arrihet vetëm kur palët nuk tremben nga distancimi prej krimeve.

Këto komente Kurti i bëri në një ceremoni përkujtimore në prag të 28-vjetorit të Masakrës së Srebrenicës, ku u shpreh po ashtu se fqinjësia e mirë ndërtohet duke vendosur drejtësi.

Sipas tij, themeli i paqes është dënimi i kriminelëve.

Kurti: E vetmja fqinjësi e mirë zhvillohet kur palët nuk tremben nga distancomi prej krimeve

“Kjo mizori peshon rëndë edhe ndërgjegjen ndërkombëtare, edhe më shumë se çerek shekulli më vonë... Ne duam paqe, barazi dhe bashkëpunim mes shteteve dhe popujve në Ballkan, por themeli i asaj paqe është ndëshkimi i kriminelëve. Është e pamendueshme sesi edhe në shekullin 21 ka politikanë në rajonin tonë, që thonë se ‘ata që kërkojnë ndëshkimin e fajtorëve për gjenocid qenkan kundër dialogut dhe kundër fqinjësisë së mirë’. Përkundrazi, e vetmja fqinjësi e mirë zhvillohet duke dënuar krimet e duke vendosur drejtësi dhe kur palët nuk tremben nga distancomi prej krimeve”, tha ai teksa kujtoi edhe miratimin e Rezolutës për Srebrenicën në Kuvendin e Kosovës.

Duke thënë se gjenocidi në Bosnje nuk ka ndodhur nga brendësia por nga jashtë, ai theksoi se Serbia është përgjegjëse për krimet e kryera.

Kurti: Masakra e Srebrenicës na kujton ideologjinë çetnike të Serbisë

“Kur afrohet përvjetori i gjenocidit të Srebrenicës na kujtohen të njëjtat gjëra. Na kujtohet Mlladiqi, ideologjia çetnike që u përdorë fillimisht në Kroaci e Bosnje e më pas edhe në Kosovë. Na kujtohen ata 8 mijë e 732 burra e djemë boshnjakë që nuk iu dha as më e vogla fije shprese për mbijetesë, e cila e masakroi pamëshirshëm dora e shtetit armik... Na kujtohet dhe na mundon fakti që kriminelët kurrë nuk u dënuan. Serbia nuk u mbajt asnjëherë përgjegjëse për krimet e kryera, për këtë gjenocid. Nga Qendra për të drejtën humanitare, e dimë që 4 mijë oficerë të armatës serbe luftuan kundër boshnjakëve dhe janë paguar e armatosur nga Serbia... Serbia është përgjegjëse pasi që në fund të fundit Millosheviq e ka nënshkruar marrëveshjen e Dejtonit”, tha Kurti derisa shtoi se ky gjenocid e rëndon edhe sot ndërgjegjen e ndërkombëtarëve.

E deputeti i Bosnje Hercegovinës, Shemsedin Mehmetoviq tha se nëser kur e gjithë bota demokratike do të bëjë homazhe kundër gjenocidit, do të jetë Serbia ajo që nuk do të bëjë një gjë të tillë. Derisa u shpreh se politika e Serbisë është që asnjëherë të mos e pranojë Kosovën.

Deputeti i Bosnje e Hercegocinës tha po ashtu se ndërkombëtarët duhet të hulumtojnë krimet gjenocidale në Srebrenicë dhe të dënojë kriminelët.

Mehmetoviq: Është politikë e Serbisë që të mos e pranojë Kosovën

“Nesër, më 11 korrik, e tërë bota demokratike bënë homazh kundër gejnocidit. Por, do të ketë edhe të tillë që nuk do të bëjnë homazh. Ata të cilët sot e përkrahin Federatën Ruse dhe luftën ndaj Ukrainës. Kjo është Serbia, Aleksandër Vuçiq dhe Milorad Dodik, të cilët nuk e pranojnë Kosovën, Bosnje e Hercegovinën. Ata nuk na pranojnë neve si popuj. Pse? Për shkak të krimeve gjenocidale. Si do t’i pranojnë ata krimet që i kanë kryer në Bosnje dhe ndaj jush në Kosovë? Politika e Serbisë është që asnjëherë të mos e pranojë Kosovën, dhe që BE-ja të pranojë ‘Republikën Srbska’.Ata dëshirojnë që nga kryerësit e krimeve, të bëjnë viktimën... Gjenocidi i Srebrenicës është i dokumentuar aq mirë, i kemi dëshmitë deri në detajet më të vogla”, tha ai.

Ndërsa zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi tha se është detyrë e të gjithëve që të përkujtohet Masakra e Srebrenicës, në mënyrë që të mos humbet e vërteta dhe kombet.

“Srebrenica është zhdukje e planifikuar e një populli. Është e djeshmja jonë, e sotmja dhe e nesërmja jonë”, u shpreh ajo.

Ndryshe, sot deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë përkujtuar viktimat e Masakrës së Srebrenicës që kishte ndodhur 28 vjet më parë në Bosnje dhe Hercegovinë. Të zgjedhurit e popullit mbajtën një minutë heshtje në nderim të tyre, derisa edhe vendosën disa shamia të gjelbra mbi vendet e tyre që simbolizojnë pafajësinë e viktimave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat