Abrashi: Escobari kërkoi tërheqjen e kriminelëve nga veriu, kjo i hap rrugë pakësimit të policisë në veri

Aktuale

Abrashi: Escobari kërkoi tërheqjen e kriminelëve nga veriu, kjo i hap rrugë pakësimit të policisë në veri

Më: 10 korrik 2023 Në ora: 22:06
Artan Abrashi

Deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi ka folur për përparimet që janë arritur sot gjatë takimit mes emisarit të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe zëvendëkryeministrit, Besnik Bislimi rreth de-eskalimit të situatës në pjesën veriore të vendit.

Madje sipas Abrashit, edhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka kërkuar që të tërhiqen elementët kriminal nga veriu, e që është kërkesa kryesore edhe e Qeverisë së Kosovës.

“Nuk është se janë bërë publike se në cilat pika ka përparime, por këtë më duhet me e lidh edhe me deklaratën të cilën z. Escobar sot e bëri apo të paktën unë e lexova sot gjatë ditës, e që ishte kërkesa e tij e drejtpërdrejtë që të tërhiqen elementët kriminal, turbullues nga veriu. Dhe kjo ka qenë kërkesa jonë kryesore si Qeveri. Kjo pastaj i hap rrugën edhe kërkesës së dytë e të tretë që nëse ka vullnet të ndërmjetësuesve për me i shty përpara, nëse ka vullnet që këtë presion politik të mos e orientojë ekskluzivisht te pala e Kosovës por ta ngarkojë pak edhe Serbinë që është problematika kryesore, atëherë natyrisht se kemi të bëjmë me një rrethanë të re dhe Kosovës nuk i mbetet më asnjë arsye që të ecë më përpara me procesin”, ka thënë ai në Tëvë 1.

Për Abrashin, tërheqja e kriminelëve nënkupton që në veri të ketë prezencë më të vogël policore.

“Prezenca e policisë atje është rezultat i shtimit të aktiviteteve kriminale e që është një reaksion automatik. Si çdokund në botë, ku ka kriminelë, ka edhe policë. Shtohet numri i kriminelëve, shtohet edhe numri i policëve. Dhe logjikisht e rrjedhimisht ulja apo tërheqja e tyre, po them tërheqja sepse ata janë aty me direktiva të Beogradit, natyrisht se krijon një situatë të re ku ne nuk kemi më arsye që ta kemi më atë prezencë të madhe policore që është atje. Dhe siç duket këtë ndërmjetësuesit e kanë kuptuar”, ka thënë Abrashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat