Haxhiu për Kusari-Lilën: Nuk i është bindur asnjë urdhri të Listës Serbe

Aktuale

Haxhiu për Kusari-Lilën: Nuk i është bindur asnjë urdhri të Listës Serbe

Më: 12 korrik 2023 Në ora: 11:52
Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mbrojtur shefen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas publikimit të një përgjimi të saj me ish deputetin e Listës Serbe, Sllavko Simiq, ku përmendet edhe Milan Radojiçiq.

Minstrja Haxhiu në konferencën për medie, pas mbledhjes së qeverisë të mërkurën, tha se Kusari-Lila nuk i është bindur asnjë urdhri dhe shantazhi të Listës Serbe dhe se përgjimet janë të montuara.

Haxhiu: Lista Serbe nuk ka mundur t’i bëjë shantazh dhe presion Kusari-Lilës

“E ka sqaruar në tërësi tendencën për të shpërfaqur apo deformuar një komunikim i cili ishte i prerë, redaktuar dhe montuar sipas tendencave të tyre. Ju duhet të kuptoni që Lista Serbe është një parti politike që përfaqëson komunitetin serb brenda Kuvendit të Kosovës. Por, fatkeqësisht në mënyrën më të keqe të saj. Në vend që të përfaqësojë qytetarët serb që jetojnë në Republikën e Kosovës, Lista Serbe që është themeluar nga partitë që sot janë në opozitë dhe dje në pushtet, ajo i bindet Vuçiqit dhe merret me shantazhe, kërcënime dhe presione. Ato që janë publikuar janë bërë vetëm për një arsye të vetme, pasi efekti i tyre ka qenë zero. Lista Serbe nuk ka mundur të shantazhoi dhe t’i bëjë presion shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila. Po të kishin efektin e tyre dhe të shkonin përpara kërkesat e Listës Serbe ato nuk do të publikoheshin”, tha ajo.

Sipas saj, prej kohës kur është bërë ky audio-incizim, Qeveria e Kosovës ka shtrirë sovranitetin dhe ligjshmërinë në veri të Kosovës.

Haxhiu: Kemi shtrirë sovranitetin në veri

“Dëshmia më e mirë për këtë është se prej kohës kur është bërë ky incizim, kemi një sërë veprimesh konkrete të institucioneve që reflektojnë sundimin e ligjit në territorin e Kosovës. Kemi luftim të bandave kriminale, luftim të krimit të organizuar, shtrirje të sovranitetit. Bëhet fjalë për veprime si ndalim i zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, ndalim i referendumit, arrestim i personave që janë të dyshuar për dhunë brutale ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe mediave. Po ashtu edhe shpallja në kërkim e Radoiçiqit, siç e dini në kohën kur kemi qenë në opozitë, urdhër arresti ndaj tij ishte tërhequr, kinse për arsye taktike, por që nuk i kuptuan asnjëherë. Tani Radoiçiq ka urdhër arrest, ai si kriminel nuk guxon të hyjë në territorin e Kosovës, pasi po të hynë do të përballet me drejtësinë. Asnjëherë, kurrë s’ka pasur diskutim ndërmjet meje, kryeministrit, apo ministrit Sveçla me shefen e Grupit Parlamentar, pasi atë s’do të bënte kurrë ajo”, shtoi Haxhiu.

Në anën tjetër, pas mbledhjes së ekzekutivit, para mediave doli edhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili paraqiti rëndësinë e miratimit të Projektligjit për ndryshimet klimatike.

Aliu: Jemi duke bërë planin për rrezikshmërinë nga vërshimet

“Projektligji për ndryshime klimatike është i rëndësishëm, pasi përcakton koordinimin e të gjithë akterëve, ministrive të ndryshme, shoqërisë, bizneseve në fushën e ndryshimeve klimatike që është e rëndësishme që Kosova tani të merret me seriozitet me këtë çështje...Jemi duke bërë planin për rrezikshmërinë nga vërshimet dhe jemi duke punuar për studimet e fizibilitetit për rezervuar të ndryshëm të cilët do të pengojnë vërshimet në vendin tonë dhe që do të kemi ujë në periudha të thatësirave”, deklaroi ai.

Krahas këtyre, ministrja Haxhiu tha se përmes miratimit të Projektligjit për avokaturën shtetërore edhe në Kuvend do të fuqizohet ky institucion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat