Arsyetimi i Supremes për lirimin e Todosijeviqit që mohoi masakrën e Reçakut

Aktuale

Arsyetimi i Supremes për lirimin e Todosijeviqit që mohoi masakrën e Reçakut

Më: 12 korrik 2023 Në ora: 15:40
Ivan Todosijeviq

Gjykata Supreme e Kosovës ka liruar zyrtarin e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, nga të gjitha akuzat për gjuhë të urrejtjes në deklaratën e tij ku mohonte masakrën e Reçakut.

Në arsyetimin e këtij vendimi, Gjykata ka thënë se në rastin konkret nuk janë vërejtur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

“Por se bazuar në provat e administruara në këtë çështje penale del se aktgjykimet e kundërshtuara janë marrë në shkelje të ligjit penal nga neni 385 par.1 nënpar.1.1 të KPP-së, pasi që vepra për të cilën i pandehuri është shpallur fajtor dhe është dënuar nuk është vepër penale. Pra, provat e administruara nga ana e dy gjykatave më të ulëta gjyqësore janë interpretuar në mënyrë të gabueshme dhe rrjedhimisht janë nxjerr konkludime të gabuara, dhe atë në dëm të të pandehurit, andaj kjo e bën të mundur ndryshimin e aktgjykimeve duke e vendosur këtë çështje në mënyrë meritore”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Sipas kësaj gjykate, në fjalimin e Todosjeviqit, ku ai e mohon masakrën e Reçakut, nuk ishte paraqitur ndonjë fakt, por ishin shfaqur opinione, të cilat thuhet se, nuk është e nevojshme që të faktohen se a janë të vërteta apo jo.

“Gjykata Supreme e Kosovës nuk pajtohet me konkludimet e nxjerra nga ana e gjykatës së shkallë së parë, meqë në fjalimin e të pandehurit nuk ishte paraqitur ndonjë fakt, por ishin shfaqur opinione të cilat nuk është e nevojshme që të faktohen se a janë të vërteta apo jo, dhe për më tepër, përkundër faktit se: …opinioni i të pandehurit shpreh një opinion që dallonte nga opinionet e vendosura…”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Ish-ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL) nga radhët e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, ishte dënuar me një vit burgim për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 tetor 2022, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-ministrit Todosijeviq, me të cilin ai ishte dënuar me një vit burgim.

Todosijeviq ka deklaruar në mars të vitit 2019 se arsye për “agresionin e NATO-s” kundër caqeve të ushtrisë jugosllave më 1999 ka qenë “e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

Todosijeviq është anëtar i kryesisë së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit. Ai është edhe kryetar i komunës paralele serbe të Zveçanit.

Në kohën kur Todosijeviq bëri deklaratat për masakrën e Reçakut, ai mbante postin e ministrit të Administrimit të Vetëqeverisjes Lokal në Qeverinë e Kosovës. Më pas ai u shkarkua nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat