Abdixhiku: Kam frikë se pas një viti do të flasim për autonomi territoriale

Aktuale

Abdixhiku: Kam frikë se pas një viti do të flasim për autonomi territoriale

Më: 12 korrik 2023 Në ora: 23:17
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku tha se ka frikë se pas një viti me marrëveshjen e Qeverisë Kurti nuk do të flitet më për Asociacion, por për autonomi territoriale.

“Neni 7 flet për vetmenaxhimin e komunitetit serb, e vetëmenaxhimi është shumë më tepër se Asociacion. Kam frikën se sot gjendemi në një situatë në terren në veri që favorizon autonominë territoriale të serbëve atje. Kam frikën se një vit nga sot me kësi politika ne nuk do të flasim për Asociacion, do të flasim për autonomi territoriale. Për atë draftin e parë që ishte prezantuar nga ekipi serb në qeverisjen Kurti që nuk ishte shkarkuar me kohë dhe ishte një federalizim i Kosovës. Kam frikën se me gabimet tona strategjike si vend ne po futemi në një rrugë të pariparueshme që më pas nuk na duhet as qeverisja as pushteti sepse do të jetë vështirë të dalim nga ajo situatë”, tha Abdixhiku  në RTV21.

Ai tha se misioni i tij është që Kosovën ta bëjë anëtare të NATO-s.

Ndërsa sa i përket parandalimit për një vetëmenxhimi, kryetari i LDK-së tha se po veprojnë, por jo me Kurtin.

Abdixhiku, ka thënë se si LDK janë të gatshëm që ta bëjnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Nuk kemi zgjidhje tjera”, ka thënë Abdixhiku, teksa theksoi se ‘patjetër’, që janë të gatshëm ta bëjnë Asociacionin.

I pari i LDK-së foli edhe për dakordimin e Qeverisë së Kosovës me BE-në për shtensionim të situatës në veri.

Ai tha se veprimi i Qeverisë është një kthim prapa dhe vendi nuk po përparon.

“Pra po kthehemi prapa në pozicione politike por vendi nuk po përparon. Meqenëse po humbim kohë dhe miq”, shtoi Abdixhiku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat