Përplasje dhe fishkëllima në Kuvend, kjo është lëvizja e fundit e opozitës

Aktuale

Përplasje dhe fishkëllima në Kuvend, kjo është lëvizja e fundit e opozitës

Nga: Bota sot Më: 13 korrik 2023 Në ora: 07:11 Përditësuar në ora: 00:04 më 14.07.2023
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi shkarkon Kimete Gashin nga bordi i OSHP-së

Kuvendi i Kosovës me 58 vota për ka shkarkuar Kimete Gashin nga pozita e anëtares së bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, konstatoi se për shkarkimin e Kimete Gashit kanë votuar 58 deputetë për, 1 kundër dhe dy abstenime.

Glauk Konjufca dhe deputeti Eman Rrahmani kanë abstenuar.

“Kuvendi e shkarkon Kimete Gashin nga pozita e anëtares së bordit të OSHP-së”- tha Konjufca.

Të hënën në Komisionin për Buxhet nuk kishte kaluar rekomandimi që Kimete Gashi të shkarkohet nga pozita e anëtares së bordit të OSHP-së.

Më 10 maj 2023 Qeveria e Kosovës i kishte propozuar Kuvendit të Kosovës shkarkimin e Gashit për shkak të tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë për insulina.

Qeveria nuk kishte dhënë një arsyetim konkret për kërkesën për shkarkimin vetëm të saj, edhe pse në panelin shqyrtues në të cilin ishte marrë vendimi për kthimin në rivlerësim të tenderit për insulina, kanë qenë edhe dy anëtarë të tjerë të bordit të OSHP-së.

Kuvendi kalon në parim Fondin Sovran

Kuvendi i Kosovës e ka kaluar në parim projektligjin për Fondin Sovran.

61 deputetë kanë votuar për projektligj, siç tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm që do të përfshijë shumë ndërmarrje publike.

Ky mekanizëm ka qenë një nga premtimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

​Miratohet Projektligji për pagën minimale

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në shqyrtim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Ky projektligj parasheh që paga minimale të bëhet 264 bruto.

Për këtë projektligj votuan vetëm deputetët e mazhorancës, ku 60 prej tyre votuan pro, kurse një deputet abstenoi.

Të pranishme për këtë projektligj nuk ishin deputetët e partive opozitare, të cilët pas zhvillimeve të sotme në Kuvend lëshuan sallën plenare.

Kuvendi miratoi Projektligjin për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Pro miratimin të këtij projektligji votuan 61 deputetë nga mazhoranca, derisa dritë e gjelbër iu dha edhe disa amendamenteve të këtij projektligji.

Në momentin e votimit të projektligjin nuk ishin të pranishëm deputetët e partive opozitare.

Krahas kësaj, deputetët e mazhorancës miratuan në lexim të dytë edhe Projektligjin për procedurën përmbarimore dhe disa projektligje të tjera.

Kuvendi miraton projektligjin për produkte medicinale

Me 62 vota për, asnjë kundër e asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës, e ka miratuar projektligjin për produkte medicinale.

Paraprakisht, në Kuvend situata ishte e tensionuar për shkak të dhunës së shfaqur në seancë, nga deputetët e PDK-së, me ministrat e Qeverisë.

Pas kësaj, opozita tentoi ta bllokonte Kuvendin, por përkundër kësaj, u arrit që projektligji për produkte medicinale të miratohet.

Dhunën në Kuvend e ka dënuar ambasada e ShBA-së, në Kosovë si dhe Bashkimi Evropian.

Partitë opozitare lëshojnë seancën, Kuvendi vazhdon punimet

Deputetët e partive opozitare kanë lëshuar seancën e Kuvendit të Kosovës, duke mundësuar vazhdimin e seancës plenare.

Kuvendi aktualisht është duke shqyrtuar Projektligjin për produktet medicinale.

PDK-ja ka larguar nga Kuvendit edhe pankartat "Zdravo".

Ndërsa, fillimisht gjatë fjalimit të kryeministrit Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit, deputetë e ministra janë përfshirë në përleshje fizike.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në drejtim të foltores së Kuvendit, Mërgim Lushtaku, ka hedhur ujë në drejtim të Kurtit dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Ky i fundit e ka hedhur shishen në drejtim të tij. Më pas, Lushtaku e ka shtyrë ministrat Hekuran Murati dhe Albulena Haxhiun. Kjo e fundit është dëgjuar të thotë “a je normal”.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thirrur Policinë brenda sallës së parlamentit.

Bislimi, Murati e Haxhiu largohen nga seanca, nuk dihet nëse janë ftuar nga Prokuroria

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministri i Financave, Hekuran Murati dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, janë larguar nga salla e Kuvendit.

Murati dhe Bislimi janë larguar së bashku, kurse pak momente më pas edhe ministrja Haxhiu.

Të tretë kanë qenë të përfshirë në përleshjen fizike që ndodhi sot në Kuvend e ku protagonistë ishin edhe deputetët e PDK-së.

Nuk dihet nëse të njëjtit janë ftuar për intervistim nga Prokuroria e Shtetit.

Prokuroria e Shtetit ndryshe për intervistim zyrtarisht e ka ftuar deputetin e PDK-së, Mërgim Lushtakun. Ndaj tij është inicuar rast për “sulm”.

Konjufca me vërejtje ndaj deputetëve që po e pengojnë seancën

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, u ka dhënë vërejtje me paralajmërim disa deputetëve që po pengojnë zhvillimin e seancës plenare.

Sipas tij, kjo vërejtje është paralajmërim për largim nga seanca plenare.

“Deputetëve që nuk po e lirojnë foltoren, ua jap vërejtjen me paralajmërim për largim nga seanca plenare”, ka thënë Konjufca.

Kujtojmë se e gjithë kjo po zhvillohet në një ditë kur pati edhe përleshje fizike ndërmjet disa deputëtëve të PDK-së dhe përfaqësuesve të pushtetit.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës janë duke kërkuar që të ndërpritet kjo seancë për të vazhduar një ditë tjetër.

Mirëpo kryetari i Kuvendit, nuk është duke i përfillur këto kërkesa të dy partive më të mëdha opozitare.

Zemaj i kërkon Konjfucës që ta ndërpres seancën: S’po i kontribuoni as Kosovës as pushtetit tuaj

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kërkuar nga kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, që të ndërpritet seanca e sotme.

Sipas Zemajt, Konjufca është i detyruar që ta ndërpresë seancën në bazë së rregullores së punës së kuvendit.

“Neni 67, pezullimi dhe mbyllja e seancës plenare. Në rast se në sallë bëhet rrëmujë dhe nuk respektohet kërkesa e kryesuesit për mbajtjen e rregullit, kryesuesi e ndërpret seancën plenare”.

“Në rast se përsëri rrëmuja vazhdon, kryesuesi e pezullon seancën dhe kuvendi e vazhdon punën në një ditë tjetër”, tha Zemaj.

Tutje, ai tha se me këtë formë të mbajtjes së seancës, mazhoranca s’po i kontribuon as Kosovës e as pushtetit.

Fishkëllima në Kuvend, pengohet zhvillimi i seancës

Deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë duke e penguar zhvillimin e seancës në Kuvend.

Derisa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ishte duke folur rreth projektligjeve, dikush prej deputetëve fishkëllente për ta penguar atë.

Kujtojmë se e gjithë kjo po zhvillohet në një ditë kur pati edhe përleshje fizike ndërmjet disa deputëtëve të PDK-së dhe përfaqësuesve të pushtetit.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës janë duke kërkuar që të ndërpritet kjo seancë për të vazhduar një ditë tjetër.

Mirëpo kryetari i Kuvendit, nuk është duke i përfillur këto kërkesa të dy partive më të mëdha opozitare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat