Kryetari Konjufca flet për përleshjen në Kuvend

Aktuale

Kryetari Konjufca flet për përleshjen në Kuvend

Më: 13 korrik 2023 Në ora: 12:45
Glauk Konjufca

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkuar në një pauzë prej dy orësh, me mundësi vazhdimi të seancës së Kuvendit të Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas përleshjes në kuvend, të cilën ai e quajti të papranueshme.

“Kjo që ndodhi në Kuvendin e Kosovës është vërtetë e papranueshme, do të thotë përdorimi i dhunës edhe në këtë mënyrë është edhe i ndëshkueshëm, i dënueshëm prej të gjithë neve, prandaj konsideroj se për shkak të kësaj rrëmuje të krijuar qëllimshëm, gjithë ajo që është përgjegjësi e organeve të rendit dhe nëse ka pasur sulm fizik kjo besoj që duhet të trajtohet. Gjithçka që ka ndodhë shqyrtohet me profesionalizëm nga njerëz që kanë përgjegjësinë. Nuk po shoh kushte që të vazhdojë seanca, po e marrim një pushim prej dy orësh dhe të shohim se në çfarë mënyrë mund të vazhdojmë”, ka thënë Konjufca.

Teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po fliste në foltoren e Kuvendit të Kosovës, ai është sulmuar nga deputetët e opozitës.

Ky reagim i opozitës vjen pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka larguar fotografinë e vendosur në foltore nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

Kurti është spërkatur fillimisht me ujë nga deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, e më pas filloi përleshja në mes të deputetëve të opozitës dhe atyre të pushtetit.

Në këtë kohë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka goditur deputetin Lushtaku me shishe të ujit në fytyrë, ku më pas deputetët e pushtetit e të opozitës janë përfshirë në rrahje.

Mbrojtja e afërt e kryeministrit Kurti ka ndërhyrë menjëherë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat