​Lushtaku për hedhjen e ujit: Kjo qeveri ka nevojë për freski, do të padis ata që sulmuan

Aktuale

​Lushtaku për hedhjen e ujit: Kjo qeveri ka nevojë për freski, do të padis ata që sulmuan

Më: 13 korrik 2023 Në ora: 15:09
Mergim Lushtaku

Pas përleshjeve fizike që ndodhën gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës gjatë seancës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku ka thënë se do t’i padisë për sulm fizik, zëvendëskryeministrin, Bisnik Bislimi, ministren e drejtësisë, Albulena Haxhiun dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati.

Deputeti Lushtaku para gazetarëve tha se aksioni i sotëm ndaj qeverisë ishte si reagim i përgjimeve të publikuara në media, për të cilën siç tha ai, qeveria po bashkëpunon me kriminel serb si Milan Radoiçiq.

Duke shtuar se ky aksion nuk ishte i paramenduar nga kjo parti dhe nuk kishte për qëllim të sulmohej askush, por sipas tij, ishte vetëm të freskojë kryeministrin e vendit, Albin Kurti pas tensioneve.

Ai tha se zëvendëskryeministri Bislimi e dhunoi demokracinë dhe fjalën e lirë.

“Është pak e rëndësishme a do të më godasin apo vrasin, sepse do të qëndroj i fortë, ashtu siç ka qëndruar familja ime në kohën më të vështirë, në kohën e okupimit serb...Ne jemi të interesuar ta mbrojmë interesin e Kosovës dhe qytetarëve të vet dhe si aksion politik, si PDK me paraqitjen e pankartave që kjo qeveri është qeveri ‘Zdravo’, që është në interes të Serbisë e Rusisë, sigurisht se ne kemi vepruar. Në këtë frymë, sigurisht nuk kemi prit që një zëvendëskryeministër të dhunojë demokracinë. Prandaj duke parë gjithë këto sulme që bëhen në drejtim timin e të kolegeve, ku fizikisht më është gjuajtur me shishe me plot ujë dhe nga zëvendëskryeministri, ministrja Haxhiu ka ardhur me tentim për të më shtyrë dhe ministri Murati ishte me një mjet të fortë dhe sigurisht se pas atij reagimi, edhe unë natyrshëm kam reaguar. Por, nuk e kisha në plan të kem një reagim të dhunshëm, veprimi im ka qenë politik, dhe si i tillë vetëm kam vepruar me një gjuajte të ujit. Besoj se të gjithë kanë nevojë për freskim, sidomos kjo qeveri që më së shumti po i konvenon Serbisë dhe Rusisë sesa vet Kosovës dhe strategjisë kombëtare. Do të padis këta njerëz të sipërmendur, dhe sigurisht se organet kompetente do të dhënë verdiktin e tyre”, ka theksuar Lushtaku.

Sipas tij, sulmet e tilla nga qeveria janë të papranueshme.

Lushtaku tha po ashtu se pas gjithë atyre sulmeve që ndodhën në Kuvend, ka edhe deputetë tjerë të lënduar.

“Nuk ishte vetëm një shishe, ishte një sulm i koordinuar, dhe po shihet qartë se kanë pasur edhe furnizim që me ardhur sa më shpejtë edhe me policinë, sigurisht ata e bëjnë detyrën e vet. Ata kanë qenë të gatshëm të veprojnë me çdo formë dhe të na nënçmojnë si aksion politik, por atë nuk e ndalin. Nuk ka logjikë të sulmohet nga një kryeministër, zëvendëskryeministër, aksioni politik. Ata mund të reagojnë në foltore si duhet të reagojë çdo shtet demokratik, jo me formën si zëvendëskryeministri duke marrë një pankartë të ‘Pinokios’ që e paska penguar shumë. Ai po dihet qartë se është duke gënjyer dhe është zënë me rren. Ne kemi pas mundësi të kemi ndonjë reagim spontan po assesi të paramenduar...Sigurisht se ka edhe prej deputeteve tonë të lënduar, edhe un jam i goditur, nuk e mbaj mëndi si, sepse ka ndodhur shpejtë”, tha Lushatku.

Edhe deputetja nga kjo parti, Eliza Hoxha tha se në vend pozita të jap llogaridhënie pas përgjimeve të publikuara, ata po mundohen ta mbulojnë atë skandal.

“Përballë skandalit më të madh në Kosovë, aferës ‘Zdravo’, e cila shpërfaqi bashkëpunimit e këtij pushteti me Milan Radoiçiq, sot në vend të llogaridhënies dhe përgjegjësisë që deputetet e opozitës kërkuan, ne u dhunuam. Sot, deputetet e grupit parlamentar të PDK-së erdhën në Kuvend për të kryer detyrën tonë të zakonshme, për të kërkuar llogaridhënie nga kjo qeveri, pikërisht për këtë skandal dhe për koordinimin me Milan Radoiçiq dhe me Listën Serbe. Aksioni ynë simbolik dhe jo i dhunshëm irritoi zëvendëskryeministrin, i cili më pas sulmoi kolegun, Mërgim Lushtaku, i cili as nuk e gjuajti me mollotov, as me zoll e as me gaz lotsjellës, as me veze e shishe, veçse i freskoi pak në këtë situatë të tensionuar pas këtyre përgjimeve”, tha Hoxha.

Gjatë fjalimit të kryeministrit Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit, deputetë e ministra janë përfshirë në përleshje fizike.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në drejtim të foltores së Kuvendit, Mërgim Lushtaku, ka hedhur ujë në drejtim të Kurtit dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Ky i fundit e ka hedhur shishen në drejtim të tij. Më pas, Lushtaku e ka shtyrë ministrat Hekuran Murati dhe Albulena Haxhiun. Kjo e fundit është dëgjuar të thotë “a je normal”.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thirrur Policinë brenda sallës së parlamentit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat