Haxhiu: Sulmet e organizuara ndaj qeverisë u manifestuan edhe me grushta ndaj ministrave

Aktuale

Haxhiu: Sulmet e organizuara ndaj qeverisë u manifestuan edhe me grushta ndaj ministrave

Më: 13 korrik 2023 Në ora: 16:01
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu reagoi pas rrahjes së sotme në Kuvendin e Kosovës.

Ajo potencoi se sulmet e organizuara ndaj Qeverisë së Kosovës u manifestuan sot edhe me grushta në drejtim të ministrave të qeverisë.

Ajo theksoi se Qeveria Kurti nuk ka asnjë ministër a zëvendësministër të kontrolluar nga Beogradi.

“Ata që nxitën dhe ndihmuan për kaq vite krimin e organizuar në veri, si Lista Srbska nuk janë në koalicion siç ndodhte me qeveritë e dikurshme. Madje krerët e tyre po hetohen nga institucionet e drejtësisë, e bashkëpunëtorë të tjerë të këtyre strukturave po arrestohen në veri të Mitrovicës. Një sërë hapash janë ndërmarrë drejt shtrirjes së sovranitetit e ligjvënies në veri të vendit, atje ku pushtetet e kaluara kishin lejuar madje edhe amnistuar krimet e strukturave paralele serbe për vite me radhë. Rrugët alternative të krimit dhe kontrabandës u ndërprenë nga Policia e Kosovës. Baza të shumta të policisë u krijuan atje, me qëllim të vënies së rendit ligjor në atë pjesë.”, shkroi ajo në Facebook.

Ministrja Haxhiu shtoi se mbesin të përkushtuar për drejtësi dhe për zbatim të ligjit pa dallim.

“Dhuna ndaj ministrave vjen si paknaqësi e këtij rezultati, ku edhe biznesmenët e bashkëpunëtoret e tyre po pësojnë dukshëm. Grushtat e atyre që janë pasuruar në kurriz të popullit tentojnë të godasin Qeverinë e cila po i dobëson seç herë e më shume banditët e tillë. Policia po arreston edhe ata që kanë ndihmuar grupet bandideske, por sjellja e disa deputetëve të PDK-së tregon se kjo sikur po iu pengon. Megjithatë, rendi dhe kushtetushmëria nuk ndalen, dhe këtë e garanton populli i Kosovës, dëshmitarë të veprimeve të gjithësecilit. Mbesim të përkushtuar për drejtësi, dhe për zbatim të ligjit pa dallim, edhe ndaj atyre që kanë dëmtuar shtetin dhe shoqërinë, atyre që janë pasuruar padrejtësisht. Drejtësia do të veprojë edhe më shpejtë se që mund të kenë menduar ata!”, shkroi tutje ajo.

Gjatë fjalimit të kryeministrit Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit, deputetë e ministra janë përfshirë në përleshje fizike.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në drejtim të foltores së Kuvendit, Mërgim Lushtaku, ka hedhur ujë në drejtim të Kurtit dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Ky i fundit e ka hedhur shishen në drejtim të tij. Më pas, Lushtaku e ka shtyrë ministrat Hekuran Murati dhe Albulena Haxhiun. Kjo e fundit është dëgjuar të thotë “a je normal”.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thirrur Policinë brenda sallës së parlamentit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat