​Caktohet data kur mbrojtja e Pjetër Shalës do të fillojë paraqitjen e provave

Aktuale

​Caktohet data kur mbrojtja e Pjetër Shalës do të fillojë paraqitjen e provave

Më: 13 korrik 2023 Në ora: 16:16
Pjetër Shala

Trupi gjykues në çështjen kundër Pjetër Shalës e ka caktuar 18 shtatorin datë në të cilën synohet të fillojë paraqitja e provave nga Mbrojtja.

Mbyllja e paraqitjes së provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar është bërë më 6 korrik dhe në të njëjtën ditë Mbrojtja ka njoftuar për paraqitjen e provave të saj si dhe synimin për dorëzimin e mocionit për rrëzimin e disa akuzave kundër Pjetër Shalës.

E enjtja e 24 gushtit është caktuar afat për mocionin për rrëzimin e disa akuzave ndërkohë që trupi gjykues e ka urdhëruar prokurorinë dhe mbrojtësin e viktimave që t’i përgjigjen mocionit, nëse duan, deri të hënën më 4 shtator.

Në anën tjetër, gjykatësit mund të vendosin që të rrëzojnë disa, ose të gjitha akuzat e aktakuzës, nëse konstatojnë se nuk ekzistojnë prova në mbështetje të një vendimi fajësie jashtë dyshimit të arsyeshëm.

E në pritje të vendimit mbi mocionin për rrëzimin e disa akuzave, Trupi Gjykues ka vendosur që paraqitja e provave nga avokati i viktimave si dhe konferenca përgatitore për Mbrojtjen të mbahen në mes të 21 dhe 25 gushtit.

Shala ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat