Vuçiq: Nuk e duan Asociacionin, sepse nuk duan edhe një Republikë Serbe, çfarë të keqe ka RS?

Aktuale

Vuçiq: Nuk e duan Asociacionin, sepse nuk duan edhe një Republikë Serbe, çfarë të keqe ka RS?

Më: 14 korrik 2023 Në ora: 11:48
Vuçiq

Serbët janë parë gjithmonë si një faktor destruktiv dhe është e vërtetë se ekziston një matricë që “çdokujt t’u jepet gjithçka dhe serbëve t’u merret gjithçka”, ka deklaruar presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se ndaj serbëve nuk zbatohen “vetëm standarde të dyfishta, por edhe më shumë se kaq”.

Lidhur me vendimin e Kosovës për tërheqjen e 25 për qind të Policisë së Kosovës rreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës, ai thotë se ky “një mashtrim”.

“Ndoshta tani do të na rrahin 25 për qind më pak, edhe pse as këtë nuk e garantojnë. Ne duhet të tërhiqemi nga ndërtesat, sepse kjo nuk kontribuon për paqe”, ka pretenduar presidenti serb.

Ai ka thënë se në një takim me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin francez Emmanuel Macron në Kishinau, “është zemëruar shumë” kur ata sollën një propozim, sipas të cilit kryetarët shqiptarë duhej të jepnin dorëheqjen dhe serbët të merrnin pjesë në zgjedhje.

“Unë thashë “çfarë bënë ata? A e formuan ata Asociacionin”? Për të gjitha këto, Kurti thotë se nuk na intereson, nuk do ta bëjmë. Pastaj ata telefonojnë nga Brukseli dhe thonë që ju serbët duhet të shkruani një peticion, dhe se kryetarët do të japin dorëheqjen. Ata po i luajnë këto lojëra me ne sepse e dinë që ne kemi diçka për të humbur, se vendi ynë po rritet, ka një ekonomi në rritje”, ka pretenduar Vuçiq.

Ai gjithashtu është ankuar se “serbët në Kosovë keqtrajtohen çdo ditë”.

“Kur flasin për Asociacionin, ata i shajnë serbët, e shajnë Republikën Serbe. Çdo herë thonë se nuk duam Republikën Serbe, e çfarë të keqe ka në Republikën Serbe? A thua se Republika Serbe nuk duhet të ekzistojë? A doni të fusni Teorinë e Budakut apo zbatimin e parimeve të Hitlerit?”, pyeti ai.

“Ekziston një matricë sipas së cilës ne shikohemi si një faktor problematik, të cilit duhet t’i merret gjithçka”, përfundon Vuçiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat