Mungoi Kurti, flet Rama pas takimit me liderët e rajonit

Aktuale

Mungoi Kurti, flet Rama pas takimit me liderët e rajonit

Më: 17 korrik 2023 Në ora: 08:08 Përditësuar në ora: 16:41 më 17.07.2023
Liderët e Ballkanit Perëndimor

Rama pas takimit me liderët e rajonit: Plan i Ri i mbështetjes financiare të BE-së për Ballkanin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka postuar një fotografi pas takimit informal me liderët e rajonit ku u diskutua për procesin e Berlinit, takim ky që do të mbahet në tetor në Tiranë.

Ndër të tjera, ai tha se në takim është diskutuar për Planin e Ri të mbështetjes financiare të BE-së për Ballkanin Perëndimor.

“Pas takimit informal mbi Planin e Ri të mbështetjes financiare dhe ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor, me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi, kryeministrin e Republikës së Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe kryeministren e Republikës së Serbisë, Ana Bërnabiq”, shkroi Rama.

Vlen të theksohet se në këtë foto nuk është e pranishme kryeministrja e Bosnjës, sikurse edhe ajo që dihej – kryeministri Albin Kurti.

​Përfundon takimi i Ramës me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor

Ka përfunduar takimi informal i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama me krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Takimi i cili u zhvillua në Vilën 30 në Tiranë është mbajtur në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që do të zhvillohet në Shqipëri më 16 tetor.

Radio Televizioni Shqiptar raportoi se të pranishëm në takim ishin kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, kryeministri i Maqedonisë se Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç si dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës, Borjana Kristo.

Në takim mungoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ndodhet në një aktivitet tjetër në Greqi. Megjithatë, Kurti do të marrë pjesë në samitin e Tetorit.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka sqaruar se kryeministri Albin Kurti e kishte njoftuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama se nuk do të mund të shkojë në takimin joformal të liderëve të rajonit në Tiranë, meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor, është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë.

“Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë. Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”, ka shkruar ai.

Ndërsa Klisman Kadiu, këshilltar për media i Besnik Bislimit, ka mohuar lajmin se zëvendëskryeministrit iu është refuzuar pjesëmarrja në takimin joformal të liderëve të Ballkanit Perendimor, pasi sipas tij, pjesëmarrja në këtë takim nuk ka qenë e planifikuar nga vet Bislimi.

“Lajmi i djeshëm për pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit Bislimi në takimin joformal në Tiranë nuk është i vërtetë. Nuk ka qenë i planifikuar e aq më pak i konfirmuar. Meqë nuk ka patur asnjë konfirmim nga zëvendëskryeministri Bislimi, atëherë nuk ka mundur as t'i refuzohej pjesëmarrja apo prania e tij. Prandaj edhe raportimet nga disa media shqiptare në lidhje me refuzimin nuk janë gjë tjetër veçse spekulim dhe duke qenë i tillë veç mund të spekulojmë për origjinën e tij”, ka shkruar ai.

Ndërkohë, mediat në Shqipëri raportuan se në takimin e liderëve rajonit në Tiranë nga Qeveria e Kosovës ishte konfirmuar ardhja e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Por ky takim i Bislimit me krerët e rajonit nuk do të jetë i mundur për shkak të protokollit.

Mediat atje theksuan se zëvendëskryeministrit të Kosovës i është komunikuar nga organizatorët e takimit se niveli i tij është dytësor dhe jo i përshtatshëm dhe se dosja e takimit do t’i dërgohet me poste të sigurt Qeverisë së Kosovës, përkatësisht zyrës së kryeministrit.

Dreka joformale në Tiranë, mysafirët nga rajoni i mbërrijnë Ramës, Kurti ndodhet në Greqi

Kanë mbërritur në ambientet e “Vilës 30”, kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, si dhe kryetarja e këshillit të Ministrave të Bosnjë Hercegovinës, Borjana Kristo, në kuadër të takimit informal që kryeministri Rama do të mbajë me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Pritet të mbërrijnë gjithashtu dhe kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazavoiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, si dhe dhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi.

Në këtë takim do të diskutohet rreth Procesit të Berlinit dhe samitit të radhës që është planifikuara të mbahet në mes të tetorit në Tiranë.

Kryemninistri Rama pritet të shtrojë rreth orës 13:00 dhe një drekë informale me liderët rajonalë.

Sakaq në takim nuk pritet të ketë asnjë përfaqësues nga Kosova, pasi kryeministri Kurti do të marrë pjesë në një konferencë në Greqi, ndërkohë që zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka konfirmuar se nuk do të marrrë pjesë.

Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në takim joformal në Tiranë

Një takim joformal i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor është paraparë të zhvillohet të hënën e 17 korrikut në Tiranë.

I pranishëm në këtë mbledhje pritet të jetë edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheyli.

Takimi është menduar të zhvillohet në kuadër të përgatitjeve për samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë, më 16 tetor.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vendi i të cilit sivjet kryeson Procesin e Berlinit, ka paralajmëruar takimin joformal gjatë turneut të tij nëpër shtetet e Ballkanit Perëndimor, pak ditë më parë.

Ky takim është thënë se ka për qëllim diskutimin dhe koordinimin, për të hartuar kërkesa të përbashkëta, për t’i paraqitur në samitin e tetorit, ku pritet të marrin pjesë udhëheqës të vendeve të Bashkimit Evropian.

Procesi i Berlinit

Procesi i Berlinit u vendos në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, me qëllim të lidhjes dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor përpara se të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Procesi i Berlinit shërben si një platformë për bashkëpunimin e nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve zyrtarë të nivelit të lartë të së ashtuquajturës Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, e cila përbëhet nga Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Procesi përfshin edhe institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në rajon.

Samiti i nëntorit në Berlin përfaqëson, gjithashtu, ringjalljen e procesit, që kur kancelari Olaf Scholz drejton Qeverinë në Berlin. Sipas njoftimit, samiti i ardhshëm do të organizohet në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.

Megjithatë, as ky takim joformal nuk pritet të ulë në një tryezë kreun e ekzekutivit shqiptar, Rama, dhe homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti, marrëdhënia e të cilëve është ftohur prej disa muajsh.

Një projektstatut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, i propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, si dhe anulimi i mbledhjes së përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, që ishte parashikuar të mbahej më 14 qershor, i ka rritur tensionet mes Ramës dhe Kurtit, të cilët kanë preferuar të argumentojnë me njëri-tjetrin nga distanca, përmes deklaratave.

Mospajtimet mes dy udhëheqësve kulmuan më 6 korrik, kur Kurti refuzoi të takonte Ramën, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Prishtinë. Rama u prit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Raportohet se në takimin joformal të së hënës në kryeqendrën e Shqipërisë, Kosova do të përfaqësohet nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Kreu i ekzekutivit kosovar, Kurti, sipas një njoftimi nga zyra e tij, të hënën do të jetë në Greqi, ku do të marrë pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, i cili është themeluar nga ish-kryeministri helenik, George Papandreou.

Në takimin e së hënës mes udhëheqësve të rajonit, Serbia pritet të përfaqësohet nga kryeministrja Ana Bërnabiq./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat