Policia thotë se po qarkullojnë disa dokumente false: Qytetarët të mos bien pre e mashtrimeve

Aktuale

Policia thotë se po qarkullojnë disa dokumente false: Qytetarët të mos bien pre e mashtrimeve

Më: 17 korrik 2023 Në ora: 15:15
Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka njoftuar se po qarkullojnë dokumente false nërpër e-maile të ndryshme “që kinse i përkasin Policisë së Kosovës”.

Policia përmes një sqarimi në Facebook thotë se bëhet fjalë për disa dokumente me logo të PK-së, logo të Qeverisë e vula të ndryshme, të cilat “nuk janë dokumente zyrtare”.

“Shpërndarja e këtyre e-mailave, kinse janë e-maila zyrtar të lëshuar në emër të zyrtarëve të lartë të PK-së, përfshirë edhe një dokument që përmban logo të PK-së, logo qeveritare, vule të ndryshme dhe një mbishkrim të EUROPOL, kinse janë lëshuar me qëllim të njoftimit të palës së caktuar për urdhër gjykate, nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-maila dhe dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara”, thuhet në sqarimin e Policisë.

Në e-mailin dhe dokumentin e falsifikuar, Policia thotë se autorët e paidentifikuar kanë përdorur edhe emrat e zyrtarëve të lartë të PK-së.

“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth qarkullimit të e-mailave/dokumenteve të tilla, ka filluar hetimet intensive duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale”, thuhet në sqarim.

“Policia e Kosovës, njofton dhe njëherit fton qytetarët që të mos bien pre e dezinformacioneve/mashtrimeve të tilla, dhe kushdo që mund të pranoj ndonjë e-mail/dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të PK-së [email protected] për trajtim dhe kompetencë të mëtejme”, thuhet në fund të sqarimit të Policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat