Diplomati amerikan tregon se çfarë veprime konkrete duhen për shtensionim të situatës

Aktuale

Diplomati amerikan tregon se çfarë veprime konkrete duhen për shtensionim të situatës

Më: 18 korrik 2023 Në ora: 09:31
Thomas Countryman

Konfirmimi i deeskalimit nuk është në fjalët apo kushtet e marrëveshjes, por në veprimet e autoriteteve të Kosovës dhe komunitetit serb të Kosovës, tha Thomas Countryman,  diplomat amerikan në pension me përvojë 35 vjeçare në këtë fushë.

Countryman, për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe  tha se është e nevojshme që Qeveria e Kosovës të lehtësojë qetësimin e tensioneve aktuale që ndikojnë në dialogun për normalizim të marrëdhënieve mes dy palëve.

“Nëse jo me tërheqje të plotë, atëherë së paku duke kufizuar qasjen për pjesëtarët e Policisë Speciale të Kosovës dhe lëvizjet që tregojnë një mirëkuptim të nevojës për pajtim politik dhe vendosjen e udhëheqjes legjitime në komunat në veri të Kosovës”, tha Countryman.

Countryman  thotë se nuk pajtohet me  pretendimet e autoriteteve kosovare  se bashkësia ndërkombëtare zbaton një lloj qasjeje më të butë ndaj Serbisë, për ta shkëputur atë nga ndikimi i Rusisë.

“Brukseli dhe Uashingtoni po përpiqen të zgjidhin çështjet e hapura në atë rajon. Një gjë e tillë nënkupton aplikimin e diplomacisë së qetë, ndonjëherë shumë të zhurmshme dhe të qartë. Unë e kuptoj një perceptim të tillë të realitetit, por ata që e bëjnë nuk i kuptojnë arsyet që mund të motivojnë një qasje të tillë”, tha Countryman.

Perspektiva aktuale e dialogut Kosovë-Serbi mbetet në hijen e pritjeve për takimin e radhës të kryenegociatorëve, takim ky i cili pritet të mbahet nesër.

Kujtojmë se bashkësia ndërkombëtare, në krye me Bashkimin Evropian dhe SHBA-në, kërkojnë nga Kosova dhe Serbia  deeskalim të menjëhershëm, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës me pjesëmarrjen e garantuar të komunitetit serb. si dhe fillimin e punës për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Kryeministri Kurti tashmë është pajtuar për tërheqjen e 25 përqind të pranisë së policisë në dhe rreth objekteve komunale në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja, siç ka thënë ai pas verës dhe kthimin në dialog me qëllim të zbatimit të marrëveshjeve të Ohrit dhe Brukselit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat