Kamberi: Perëndimi ka filluar presionin ndaj Vuçiqit

Aktuale

Kamberi: Perëndimi ka filluar presionin ndaj Vuçiqit

Më: 18 korrik 2023 Në ora: 23:56
Belgzim Kamberi

Javën e kaluar Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë futur në listën e sanksioneve drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin. Ndërsa, të martën emisari amerikan, Gabriel Escobar tha se nëse serbët nuk marrin pjesë në zgjedhjet që pritet të mbahen në vjeshtë në katër komunat veriore të Kosovës, do të ketë pasoja për Serbinë.

Këto veprime, drejtori ekzekutiv në Institutin për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Belgzim Kamberi i vlerëson si lëvizje të Perëndimit në drejtim të shtimit të presionit ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Po ashtu, Kamberi thotë se për të pasur zbatim marrëveshja e dakorduar në Ohër, presioni ndaj Vuçiqit duhet të vazhdojë,.

“Tani paralajmërimet eventuale për masa në qoftë se Vuçiq nuk kontribuon të marrin pjesë serbët e Kosovës në zgjedhje në veri. Kjo do të thotë që ka filluar të bëhet një presion ndaj presidentit Vuçiq. Presioni ishte i domosdoshëm sepse Serbia e ka ushqyer bojkotin e serbëve të Kosovës dhe realisht largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës. Megjithatë, është me rëndësi të vazhdohet ky lloj presioni i Bashkësisë Ndërkombëtare, e që realisht nuk ka mjete tjera për t’u zbatuar marrëveshja e Ohrit”. Deklaroi Kamberi.

Madje, Kamberi vlerësoi që kohëve të fundit Serbia ka zhvilluar mjaft shumë marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qofshin ato në fushën ushtarake, apo fushat tjera.

“Perëndimi nuk është i interesuar të hyjë në përballje të ashpër as me Kosovën, e as me Serbinë”, theksoi tutje Kamberi në Tëvë1.

Kujtojmë që dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë pritet të vazhdojë të mërkurën në Bruksel, ndërmjet dy kryenegociatorëve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviqit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat