Detaje nga bisedimet e sotme në Bruksel: Bislimi tregon pse nuk pati takim me palën serbe

Aktuale

Detaje nga bisedimet e sotme në Bruksel: Bislimi tregon pse nuk pati takim me palën serbe

Më: 19 korrik 2023 Në ora: 07:29 Përditësuar në ora: 19:45 më 19.07.2023
Bislimi, Lajçak dhe Petkoviq

​Lajçak tregon çka bisedoi me kryenegociatorët në Bruksel

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar për takimet që ka zhvilluar me kryenegociatorin e Kosovës Besnik Bislimi, dhe atë të Serbisë Petar Petkoviq.

Lajçak ka thënë se kanë diskutuar një listë të gjatë të çështjeve të dialogut, duke filluar me zbatimin e marrëveshjes së 27 shkurtit dhe de-përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës.

Përmes një njoftimi në Twitter, ai ka theksuar se diskutimet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme.

Bislimi: Jemi të habitur që Borrell ende nuk kërkoi largimin e masave të BE-së ndaj Kosovës

Kryenegociatori i Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, Besnik Bislimi, ka folur rreth gjasave të largimit të masave që ka vendosur Bashkimi Evropian ndaj Kosovës si ndëshkim për zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Ai, në një konferencë pas takimit me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak,  deklaroi se institucionet vendore janë të habitur për veprimin e BE-së për mos fillim të procedurave për largim të masave ndaj Kosovës që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Bratisllavës mes Bislimit dhe Lajçakut.

“Në Bratisllavë kemi dakorduar një marrëveshje që quhet “Aranzhime mes Kosovës dhe BE-së për implementimin  e qëndrimit të 27 vende anëtare të BE-së”. Rrjedhimisht titulli i asaj marrëveshje tregon se dakordimi ka të bëjë me zbatimin e kërkesave të BE-së, dhe i përgjigjet këtyre kërkesave të BE-së”.

“Për ne ka qenë e qartë se kjo është mënyra e tërheqjes së masave të BE-së që janë vendosur ndaj Kosovës, dhe për ne është habi se edhe tetë ditë pas dakordimit ende nuk kemi një letër sqaruese nga Borrell që të kërkojë largimin e masave nga Komisioni Evropian”, ka thënë Bislimi.

​Bislimi: Lajçaku vlerësoi që të mos kishte takim trepalësh tani për tani

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë të mërkurën në Bruksel se ndërmjetësuesi i këtij procesi, Mirosllav Lajçak, ka vendosur që të mos kishte takim trepalësh në këtë moment.

Ai i ka bërë këto deklarata pas takimit që ka zhvilluar me ndërmjetësuesin e BE-së për dialog, duke thënë se pala e Kosovës ka qenë e interesuar në një takim mes tre zyrtarëve, raporton Radio Evropa e Lirë.

Më herët gjatë ditës, me Lajçakun është takuar edhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq.

Ka qenë si duket qëndrim i Lajçakut që në këtë moment, takimi trepalësh jo domosdo do të kontribuonte në finalizimin e dokumenteve, sepse mendon që ka ende ka nevojë për koordinim shtesë para se kjo të ndodhë, madje edhe ka ide që plani i sekuencimit [të Marrëveshjes Bazë] kërkon takim të nivelit të lartë, sipas tij, dhe qartazi kryenegociatorët nuk mund ta përfundojnë këtë proces në mënyrë të suksesshme”.

Bislimi ka thënë se me Lajçakun ka diskutuar për katër tema: plani i sekuencimit të Marrëveshjes Bazë, termat e referencës për monitorimin e Marrëveshjes Bazë, termat e referencës për zbatimin e Deklaratës për personat e pagjetur, dhe për marrëveshjen për energjinë.

Me Marrëveshjen Bazë, Bislimi i është referuar pajtueshmërisë së arritur mes Kosovës dhe Serbisë, në shkurt të këtij viti, për normalizim të marrëdhënieve.

Dy vendet më pas janë pajtuar edhe për aneksin e zbatimit, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Tensionet e fundit në veri të Kosovës e kanë kthyer procesin e dialogut në fazë të menaxhimit të krizave dhe kanë larguar fokusin nga implementimi i Marrëveshjes së Ohrit.

Situata në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumicë serbe - është tensionuar qysh në fund të majit, kur Policia e Kosovës ka asistuar kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut të hynin në ndërtesat komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë./REL

Përfundojnë bisedimet në Bruksel, takimi trilateral nuk ndodhi

Në Bruksel kanë përfunduar takimet në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

Ende nuk ka prononcime për rezultatin e bisedimeve gjatë këtyre takimeve.

Siç shkruan rel, edhe pse burimet e Bashkimit Evropian kishin thënë se synim ishte që delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të takohen edhe mes vete, një takim trilateral nuk ka ndodhur.

Takimet kanë nisur pas orës 9:30 të mëngjesit.

Fillimisht, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, ka pasur takim me shefin e delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq, që ka zgjatur deri pas orës 12:00.

Pastaj ka nisur takimi me delegacionin e Kosovës. As nga delegacionet e Kosovës, e as nga BE-ja, nuk janë dhënë informacione rreth rrjedhës së takimeve.

Ndërkohë, në Bruksel po qëndron edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai, po ashtu, është paraljmëruar se do të zhvillojë takim me Lajçakun.

Sipas burimeve të BE-së, janë dy qëllime kryesore që Lajçaku do t’i ketë në bisedimet me shefat e dy delegacioneve.

I pari është fokusi në zbatimin e plotë të Marrëveshjes që shpie drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi – e arritur gojarisht në muajin shkurt në Bruksel – si dhe të aneksit për zbatim, i dakorduar në Ohër në muajin mars.

Qëllimi i dytë është të diskutohen hapat për uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Për këtë, Kosova dhe BE-ja janë dakorduar në një takim që Lajçak dhe Bislimi kanë zhvilluar javën e kaluar në Bratisllavë.

Prishtina zyrtare thotë se i ka ndërmarrë hapat për të cilat është rënë dakord, ndërsa Beogradi zyrtar nuk e ka thënë qartë nëse ky pajtim për shtensionim është i pranueshëm për të.

​Kryenegociatorët e dialogut në Bruksel, ende nuk dihet nëse do të ketë takim trepalësh

Sot kur në Bruksel po mbahen takimet e nivelit të kryenegociatorëve, ende nuk dihet nëse do të ketë një takim trepalësh.

Emisari evropian Miroslav Lajçak ka takuar fillimisht kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.

Deri tash dihet se Lajçak dhe zëvendëskryeministri Bsnik Bislimi janë takuar, dhe se bisedimet po vazhdojnë.

Ndërsa, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë të martën se i dërguari për dialogun, Miroslav Lajçak, do të presë në takim kryenegociatorët nga të dyja palët.

“Fokusi do të jetë tek implementimi i marrëveshjes së 27 shkurtit [Marrëveshja Bazë] dhe hapat për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës”, ka shkruar ai në Twitter.

KosovaPress i ka dërguar pyetje zëdhënësit të BE-së për takimet e sotme, dhe është në pritje të një përgjigjeje.

Marrëveshja për shtensionimin e situatës në veri u arrit më 10 korrik në Bratisllavë të Sllovaksië, në takimin që kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi zhvilloi me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Janë katër hapa që për dy javë duhet të përfundojnë mes Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

Pika e parë dhe pika e dytë kanë filluar të zbatohen javën e kaluar, ajo e zvogëlimit të pranisë policore për 25 për qind në dhe rreth ndërtesave komunale dhe ajo, ku Policia e Kosovës bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in të vlerësojnë gjendjen e sigurisë, “në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale”.

BE konfirmon nisjen e takimit mes Bislimit dhe Petkoviqit në Bruksel

Kryenegociatorët, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq ndodhën në Bruksel ku sot do të mbahet takimi i radhës në kuadër të dialogut.

Nga BE-ja kanë bërë të ditur se takimi mes Bislimit dhe Petkoviqit me ndërmjetësimin e emisarit Miroslav Lajçak ka nisur në orën 09:30.

Fokusi i këtij takimi do të jetë zbatimi i plotë i marrëveshjes së 27 shkurtit e arritur mes palëve për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe hapat drejt de-eskalimit të situatës në veri të Kosovës.

Takimi ndërmjet dy kryenegociatorëve në Bruksel është hapi i katërt i dakorduar mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Më 10 korrik, Bashkimi Evropian dhe Kosova ranë dakord për një sërë hapash që Kosova duhet t’i ndërmarrë si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën e krijuar në veri të vendit.

​Bislimi dhe Petkoviq takohen sot në Bruksel

Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, dhe kryenegociatori serb, Petar Petkoviq do të takohen sot (e mërkurë) në Bruksel.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se i dërguari për dialogun, Miroslav Lajçak, do të presë në takim kryenegociatorët nga të dyja palët.

“Fokusi do të jetë tek implementimi i marrëveshjes së 27 shkurtit [Marrëveshja Bazë] dhe hapat për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës”, ka shkruar ai në Twitter.

Marrëveshja për shtensionimin e situatës në veri u arrit më 10 korrik në Bratisllavë të Sllovaksië, në takimin që kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi zhvilloi me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Janë katër hapa që për dy javë duhet të përfundojnë mes Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

Pika e parë dhe pika e dytë kanë filluar të zbatohen javën e kaluar, ajo e zvogëlimit të pranisë policore për 25 për qind në dhe rreth ndërtesave komunale dhe ajo, ku Policia e Kosovës bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in të vlerësojnë gjendjen e sigurisë, “në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale”.

Si pikë e tretë, Qeveria e Kosovës është pajtuar që të dalë me deklaratë publike për mbështetjen e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri pas verës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat